Negociatat për një armëpushim të përkohshëm në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit kanë pësuar një ndalesë të papritur, pasi Hamasi ka refuzuar planin e fundit të propozuar nga Tel Avivi. Burime nga delegacionet negociatore bëjnë me dije se pengesa kryesore mbetet vendosja e forcave izraelite në terren gjatë periudhës së armëpushimit, që sipas draftit do linte rreth 40% të Gazës nën kontrollin e Izraelit.
Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar vrasjen e një tjetër komandanti të rëndësishëm të Hamasit. Muhammad Adin, kreu i Batalionit Darj Toufah, u eliminua nga një operacion i IDF-së në Gazën qendrore. Sipas raportimeve të mediave izraelite si Ynet, kjo vrasje vjen pas një sërë sulmesh të drejtuara ndaj lidershipit të Hamasit, përfshirë figura të larta si Muhammad Sinwar dhe komandanti i Brigadës Rafah, Muhammad Shabaneh.
Hamasi nga ana tjetër ka deklaruar se nuk mund të pranojë një marrëveshje që nuk garanton një armëpushim të qëndrueshëm, tërheqje të plotë të trupave izraelite dhe leje për ndihma humanitare në gjithë territorin e Gazës. Për këtë, ata fajësojnë drejtpërdrejt kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për ngërçin aktual.
Sipas mediave ndërkombëtare si Corriere della Sera, negociatat e ndërmjetësuara nga Katari janë zhvilluar për tetë ditë me radhë, por përpjekjet për të gjetur një zgjidhje janë bllokuar pas refuzimit të hartës së tërheqjes izraelite nga ana e Hamasit. Propozimi përfshinte krijimin e një “qyteti humanitar” në Rafah, të kontrolluar ushtarakisht nga Izraeli dhe të izoluar, gjë që Hamasi e cilëson të papranueshme.
Zyrtarë izraelitë e kanë përshkruar këtë si një dëshmi të qartë të “mungesës së vullnetit të Hamasit për një marrëveshje”, ndërsa njoftojnë se nesër pritet të paraqesin një propozim të ri, i cili do të fokusohet në rivendosjen e trupave dhe shkëmbimin e pengjeve përgjatë korridorit Morag dhe kufirit me Gazën.
Ndërkohë, situata humanitare në Rripin e Gazës vazhdon të jetë katastrofike. Sipas të dhënave nga OKB, UNICEF dhe organizata të tjera ndërkombëtare, mbi 57,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor 2023, përfshirë mbi 28,000 gra dhe një numër alarmant fëmijësh. Infrastruktura jetike, përfshirë spitale dhe shkolla, është shkatërruar në masën 80%, ndërsa 75% e rrjetit të furnizimit me ujë është jashtë funksionit.