ZRRE: Liberalizimi i tregut të energjisë nuk mund të shtyhet – bizneset paralajmërojnë protesta

by engel

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike do të vazhdojë sipas planit dhe nuk do të shtyhet, pavarësisht kërkesave të shoqatave të bizneseve.

Në një përgjigje për gazetën Koha, ZRRE thekson se ky proces përbën një obligim ligjor që nuk mund të pezullohet për shkak të presioneve apo interesave të grupeve të caktuara.

banner

“Vendimi për daljen në treg të lirë të konsumatorëve që nuk i plotësojnë kushtet për shërbim universal është në përputhje të plotë me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike dhe kuadrin rregullativ në fuqi. ZRRE po e monitoron nga afër zbatimin e vendimit dhe zhvillimet në treg. Ky vendim nuk mund të shtyhet,” thuhet në reagimin e Zyrës.

Sipas këtij vendimi, nga 31 korriku, të gjitha bizneset që kanë mbi 50 punëtorë ose realizojnë mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, por që nuk kanë lidhur kontratë me një furnizues të licencuar, do të mbesin pa furnizim me energji elektrike. ZRRE ka rikujtuar se afati 60-ditor për furnizim të përkohshëm përfundon më 30 korrik.

Ndërkohë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke paralajmëruar masa kundërshtuese nëse nuk merret një vendim për shtyrjen e afatit.

“Nëse ZRRE nuk merr sot vendim për shtyrje të menjëhershme, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin veprime demokratike dhe ligjore, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat tona për dialog janë shpërfillur, ndërsa pasiguria në treg po rritet,” thuhet në reagimin e Dhomës.

Sipas tyre, zbatimi i menjëhershëm i këtij vendimi do të ketë pasoja të rënda për sektorin privat, i cili tashmë është i ekspozuar ndaj krizave dhe sfidave të mëdha ekonomike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy