Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po shkakton pasoja të rënda në funksionimin e institucioneve të pavarura, prej të cilave 17 janë të bllokuara plotësisht ose funksionojnë me mungesa të theksuara në përbërjet e tyre.
Një nga institucionet më të prekura është Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), i cili ka mbetur jofunksional, ndërsa Institucioni i Avokatit të Popullit po punon me zëvendës që u ka skaduar mandati. Zëdhënësi i këtij institucioni, Petrit Collaku, tha se procesi i përzgjedhjes së zëvendësve të rinj është bllokuar, pasi Kuvendi nuk është funksional për të zhvilluar konkursin për anëtarë të rinj.
“Sipas ligjit, avokati i popullit nuk mund të procedojë me një listë të njëjtë të kandidatëve pa një vendim të Kuvendit apo një konkurs të ri. Për momentin, katër zëvendësit po vazhdojnë detyrën deri në emërimin e pasardhësve,” tha Collaku.
Lista e institucioneve të bllokuara është edhe më e gjatë. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), mosveprimi i Kuvendit ka lënë jofunksionale ose të paplota për nga përbërja Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Agjencinë Kosovare të Pronës, Autoritetin e Pavarur të Konkurrencës e shumë të tjera.
“Janë gjithsej 17 institucione që ose janë jofunksionale, ose nuk mund të marrin vendime për shkak të mungesës së anëtarëve. Kjo nuk lidhet vetëm me moskonstituimin e Kuvendit aktual, por edhe me mospërmbushjen e obligimeve nga legjislaturat e kaluara,” theksoi Gzim Shala nga IKD.
Ai paralajmëroi se rrezikohet edhe funksionimi i vetë Institucionit të Avokatit të Popullit, nëse nuk zgjidhet në kohë një avokat i ri pas përfundimit të mandatit aktual.
Ndërkohë, sipas Institutit GAP, mungesa e një Kuvendi funksional ka lënë shumë institucione të pavarura pa mbikëqyrje dhe pa bord drejtues, çka po e thellon edhe më shumë krizën institucionale.
“Përveç mosfunksionimit të bordeve, kemi mungesë monitorimi ndaj institucioneve të pavarura, si dhe mungesë miratimi për ligje kyçe. Ligji i ri për punën, për shembull, është bllokuar dhe pret shqyrtim nga Kuvendi,” tha Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP.
Kjo situatë po ndodh në kohën kur për të 54-tën herë radhazi deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi përmbushjen e këtij obligimi brenda 30 ditëve. Që nga 28 korriku deri më 8 gusht, është në fuqi një masë e përkohshme e Kushtetueses, që ndalon çdo veprim nga ana e deputetëve pas skadimit të afatit për konstituim.

