Pas PDK-së dhe AAK-së, edhe Nisma Socialdemokrate ka deklaruar mbështetjen e saj për protestën e paralajmëruar më 7 gusht nga organizatat e dala nga lufta, në shenjë kundërshtimi ndaj, siç thuhet, padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, përmes një postimi në Facebook, ka konfirmuar se partia e tij do të qëndrojë krah për krah me organizatat që përfaqësojnë ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Ne besojmë se e drejta është në anën tonë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, çlirimtare dhe thellësisht e drejtë. NISMA do të jetë gjithmonë në mbështetje të përpjekjeve që synojnë ruajtjen e vlerave të luftës, si dhe dinjitetin e të gjithë atyre që dhanë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës,” thekson Limaj.
Protesta pritet të mbahet më 7 gusht, duke filluar nga ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, dhe synon të shprehë pakënaqësinë ndaj vendimeve dhe procesit të Gjykatës Speciale ndaj figurave udhëheqëse të luftës së UÇK-së.
Përmes këtij veprimi, partitë opozitare po bashkërendojnë qëndrimet në mbështetje të atyre që i konsiderojnë si “mbrojtës të lirisë” dhe “shtetformues të Kosovës së pavarur”.