Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka miratuar aplikimet e Kosovës në Kornizën për Investime për Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke i siguruar vendit mbi 2 milionë euro në formë grantesh për projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit.
Mjetet do të ndahen, 800 mijë euro për projekte energjetike dhe 1.2 milion euro për projekte të digjitalizimit.
Kjo mbështetje vjen pavarësisht faktit që Kosova vazhdon të mbetet nën masa ndëshkuese nga BE-ja, të vendosura në qershor 2023 pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit. Masat përfshinin pezullimin e fondeve nga WBIF dhe IPA 2024, si dhe ndërprerjen e takimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Sipas Institutit GAP, për shkak të msave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian, Kosova nuk ka qasje në rreth 395 milionë euro mjete të pezulluara nga WBIF, në rreth 218 milionë euro të pezulluara nga IPA. Sektori më i prekur: mjedisi, me projekte të pezulluara në vlerë prej 350 milionë euro
BE-ja ka nisur heqjen graduale të këtyre masave në maj të këtij viti, duke hapur rrugën për riaktivizimin e projekteve të reja.
Që nga viti 2009, Kosova ka përfituar nga WBIF me mbi 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliardë eurosh, përfshirë: Ndërtimin e rrugëve, Rehabilitimin e hekurudhave, Sistemet e ngrohjes qendrore dhe Përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza
Projektet e planifikuara për 2023–2030 janë Autostrada e Paqes Prishtinë–Nish, Rruga hekurudhore Beograd–Prishtinë, Sistemi i ngrohjes diellore për Prishtinën dhe Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë.