Pas një konference për media të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, lidhur me rastet e shumta të vrasjeve të shënuara ditëve të fundit në Kosovë, ka ardhur një reagim i ashpër nga koordinatorja e komiteteve të Vetëvendosjes, Dejona Mihali.
Në fjalën e tij, Tahiri deklaroi se Kosova po përballet me një krizë sigurie dhe akuzoi se bandat kriminale të lidhura me pushtetin kanë kapur shtetin.
Mihali reagoi menjëherë, duke e akuzuar Tahirin se ka bashkëpunuar me figura të botës së krimit gjatë kohës kur ka qenë sekretar i ish-presidentit Hashim Thaçi.
“U ka çuar porosi e ende ju çon, kur i lipset shefit. Nga Raketa (tani i ndjerë) te Sami Lushtaku, nga djemtë e Grabovcit tek Nazmi Thaçi e mandej Gani Thaçi e Njazi Thaçi. Nga Elmi Reçica e Latif Gashi tek Kamishi, Shpend Maxhuni e Rashit Qalaj. Secili me ‘libër’ në dorë duke luftuar krimin e organizuar gjithë këto vite”, shkroi Mihali në rrjetet sociale.
Ajo po ashtu u ndal edhe te nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, duke e akuzuar për lidhje me një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në një lokal në pronësi të tij. “Flet Abelardi që e ka nënkryetar partie Uranin me shkollë, por pronar lokali, çerdhe e krimit dhe kriminelëve ngapak të parfumosur, ku para 2 vitesh një njeri mbeti i vrarë dhe katër të tjerë të plagosur nga të shtënat e armëve dhe 17 të tjerë të plagosur nga dhuna e shkaktuar dhe rrethanat e krijuara”, shkroi Mihali, e cila deri vonë mbante në fotografinë e profilit një beretë të kuqe.
Ky debat i ashpër ndodh në një periudhë të rënduar për vendin, ku brenda ditëve të fundit janë shënuar vrasje të shumta, aksidente me pasoja fatale dhe raste të shpeshta të vetëvrasjeve. Ndërkohë, Kosova po kalon një krizë politike gjashtëmujore, pa institucione legjitime të zgjedhura.