Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të KEDS-it dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke i akuzuar për shkyçje masive të qindra bizneseve nga rrjeti elektrik. Sipas AKB-së, ky veprim është “arbitrar, represiv dhe shkatërrues për ekonominë e Kosovës”.
Në reagimin zyrtar, Aleanca paralajmëron se mijëra vende pune janë në rrezik dhe humbjet ekonomike mund të kapin dhjetëra miliona euro. “Shantazhi ndaj sektorit privat nuk do të tolerohet,” thuhet në deklaratë.
AKB kërkon ndalim të menjëhershëm të shkyçjeve, shtyrje të afateve për pagesa dhe ndërhyrje urgjente nga Qeveria. Sipas saj, mbi 400 njësorë janë ndërprerë automatikisht, ndërsa shumë të tjerë pritet të shkyçen manualisht në ditët në vijim.
“Nëse nuk ndalet ky abuzim, AKB paralajmëron masa demokratike për mbrojtjen e bizneseve dhe ekonomisë së vendit,” përfundon komunikata.