Me një jastëk në dorë ku shfaqej fytyra e Faruk Mujkës, drejtori i Ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, veterani i UÇK-së Agim Pllashniku ka shpërthyer sot para Kuvendit të Kosovës në një protestë simbolike, por me mesazhe të forta dhe akuza tronditëse.
“Ai më ka larguar pa paralajmërim, pa vërejtje, pa asnjë arsye! Unë kam punuar me nder, kam mbrojtur Ibër Lepencin, e ai sot është drejtor pa u përballur me drejtësinë,” deklaroi Pllashniku me zemërim.
Sipas tij, Mujka jo vetëm që e ka larguar padrejtësisht nga puna, por edhe ka keqpërdorur fonde publike në mënyrë flagrante. “Ka vjedh 60 mijë euro dhe shteti e ka lëshu pas tre dite! Ku keni pa pa u kry gjyqi të hënën me u bë drejtor?” – pyeti ai me ironi të hidhur.
Pllashniku paralajmëron se nëse nuk kthehet në punë brenda një muaji, do të zbulojë publikisht “shumë gjëra” për drejtorin Mujka, duke lënë të kuptohet se skandali mund të thellohet.
“Ju duhet me u çu, se krejt këto janë të tonat!” – thirrja e tij drejtuar qytetarëve dhe institucioneve, duke kërkuar drejtësi dhe transparencë.