Analistja politike, Afërdita Maliqi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) se po tenton të bllokojë funksionimin e Kuvendit të Kosovës përmes propozimeve për kryetar të Kuvendit, me emra që sipas saj janë të papranueshëm për partitë e tjera politike.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Maliqi tha se ky është një skenar i përsëritur i VV-së, i cili po çon vendin drejt krizës institucionale.
“VV-ja, që nga fillimi ka kundërshtuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke tentuar ta delegjitimojë këtë institucion. Nuk pamë asnjë kërkim falje nga shkelësi i Kushtetutës, Avni Dehari, për ndryshimin e rendit të ditës pa vendim të Kryesisë. Kjo tregon qasjen e tyre ndaj institucioneve”, u shpreh Maliqi.
Ajo veçoi propozimin e Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit, duke e cilësuar si dëshmi të qëllimit për bllokim.
“Gërvalla ka një histori të dështuar në qeverisje dhe diplomaci. Sot jemi më të izoluar se kurrë, nuk kemi njohje të reja, ndërsa diplomacia është reduktuar në çështje teknike. Për më tepër, ajo ka pasur diskurs të ashpër ndaj UÇK-së dhe madje ka pranuar që ka dërguar dosje në Hagë. Ky është një emër i papranueshëm”, tha analistja.
Maliqi shtoi se edhe propozimet e tjera të VV-së, si Albulena Haxhiu, janë pjesë e këtij skenari për bllokim, duke paralajmëruar se në lista mund të futen edhe figura të tjera si Mimoza Kusari dhe Dimal Basha.
“VV-ja po e di se këta emra nuk kalojnë. PDK ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë figurë që ka qenë pjesë e qeverisë, ndërsa LDK dhe AAK kanë dhënë qëndrime të ngjashme. Nëse Vetëvendosje dëshiron zgjidhje, emri i Glauk Konjufcës do të ishte i pranueshëm dhe do të votoheshin nga shumica”, përfundoi Maliqi.