Kanë kaluar gjashtë ditë që nga raportimi i zhdukjes së Beqir Malokajt nga fshati Saradran i Istogut, por ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij.
Kërkimeve që po zhvillohen prej ditësh nga FSK-ja, Policia e Kosovës, Klubi Alpin “Podguri”, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit dhe shumë qytetarë vullnetarë, sot iu bashkua edhe kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati.
Në një reagim publik, Ferati theksoi se institucionet komunale mbeten të përkushtuara për t’u gjendur pranë çdo qytetari në nevojë.
“Sot, në ditën e gjashtë të kërkimit të z. Beqir Malokaj, mobilizimi ishte i jashtëzakonshëm. Ekipet nga njësitë lokale, FSK, Policia e Kosovës, Klubi Alpin ‘Podguri’, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, ambulanca dhe qytetarët po bashkëpunojnë si rrjet i përbashkët, duke kërkuar çdo gjurmë të bashkëqytetarit tonë. Qëndrojmë me shpresë që ta gjejmë Beqirin shëndosh e mirë”, u shpreh Ferati.
Autoritetet kanë konfirmuar se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e Malokajt, ndërsa qytetarët e Istogut po tregojnë solidaritet të madh duke iu bashkuar ekipeve në terren.