Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka dalë me një propozim për të zgjidhur bllokadën politike që ka përfshirë legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Sipas tij, pavarësisht nëse partitë politike arrijnë marrëveshje dhe konsensus, tashmë është vonë për të rikthyer besimin e humbur të qytetarëve ndaj kësaj legjislature. Kryeziu thekson se mandati i fituar më 9 shkurt duhet t’i kthehet popullit, në mënyrë që qytetarët të vendosin se kë të shpërblejnë dhe kë të ndëshkojnë për situatën e krijuar në Kuvend.
Ai ka kritikuar qasjen e partive politike, të cilat – sipas tij – po kalkulojnë me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, duke shpresuar në vendime eventuale të Gjykatës Kushtetuese.
Në vend të kësaj, Kryeziu propozon një plan me dy pika:
Votim i përbashkët për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, për të përmbyllur procesin e konstituimit.
Thirrje e një seance të jashtëzakonshme, ku deputetët do të votonin për vetëshpërndarjen e Kuvendit, në përputhje me nenin 82 të Kushtetutës. Pas këtij hapi, Presidentja do të dekretonte shpërndarjen dhe do të shpallte zgjedhjet e parakohshme.
“Çdo zgjidhje tjetër është si ai gatimi ‘shto miell e shto ujë’, që vetëm sa rrezikon të dekurajojë qytetarët nga pjesëmarrja në votimet e ardhshme”, ka theksuar Kryeziu.