Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili është në garë për një mandat tjetër për kryetar të komunës, ka zhvilluar sonte një takim në familjen e kandidatit për Asamblenë e Komunës, Përparim Karpuzi.
Ahmeti bëri të ditur se gjatë këtij takimi u diskutua për punët e përfunduara deri më tani dhe për projektet e planifikuara në fshatin Shalë. Ai theksoi se një nga pikat kryesore të bisedës ishte rëndësia e bashkëpunimit dhe e mbështetjes së ndërsjellë për zhvillimin e komunës.
“Përtej fjalëve, me punë për Lipjanin,” u shpreh Ahmeti, duke kërkuar përkrahjen për kandidatin e tij, Përparim Karpuzi, në garën për Asamblenë Komunale të Lipjanit.
Ky takim u vlerësua si një mundësi për të forcuar besimin dhe për të ndërtuar një partneritet të ri në funksion të interesit të qytetarëve të Shalës dhe më gjerë.