Presidenti i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po ndërton strategjinë e tij politike përmes dhunës ndaj serbëve. Në një intervistë për RTS, ai tha se përpjekjet për të penguar Listën Serbe para zgjedhjeve lokale do të vazhdojnë, por sipas tij kjo nuk do ta dekurajojë partinë që të luftojë për të drejtat e serbëve në Kosovë.
Elek nënvizoi se zgjedhjet lokale, të caktuara për 12 tetor, janë vendimtare për serbët. Sipas tij, fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht, por tashmë janë shënuar incidente, si hedhja e një mjeti shpërthyes ndaj makinës së kandidatit të Listës Serbe në Zubin Potok.
“E gjithë kjo është e shoqëruar me përpjekje sistematike të Kurtit për të minuar Listën Serbe dhe për ta penguar atë të marrë pjesë në zgjedhje. Që nuk ia arriti, ne do të hyjmë edhe më të vendosur në betejën politike për të drejtat e popullit serb. Ne nuk do të dekurajohemi dhe do të qëndrojmë të palëkundur në këtë luftë,” tha Elek.
Ai akuzoi Kurtin se ka kufizuar liritë dhe të drejtat bazike të serbëve në Kosovë.
“Na ka mohuar të drejtën e punës, të drejtën e lëvizjes së lirë, të drejtën e fjalës, përdorimin e alfabetit serb, të drejtën e votës, të sigurisë… Nuk është fushatë politike, por përndjekje e përditshme,” theksoi ai.
Duke folur për sfidat, Elek tha se zgjedhjet lokale do të jenë ndër më të rëndësishmet për serbët që jetojnë në Kosovë, duke shtuar se vetëm uniteti dhe solidariteti mund të sigurojnë përfaqësim politik.
“Që nga ardhja e Kurtit në pushtet, serbët janë përballur me dhunë policore, presion politik e ekonomik. Prandaj, ne duhet të mbetemi të bashkuar, sepse kjo është çelësi i suksesit,” tha ai.
Lideri i Listës Serbe theksoi se mbështetja kryesore mbetet populli serb dhe shteti i Serbisë, ndërsa ndihma e komunitetit ndërkombëtar, sipas tij, do të ishte e mirëpritur por jo vendimtare.
Elek përmendi edhe rastin e ndalimit të dy të miturve për shkak të sloganeve në bluzat e tyre, duke e cilësuar si shembull të dhunës sistematike ndaj serbëve.
“U ndaluan para shokëve, pa prani të prindërve apo avokatëve. Ky është treguesi më i qartë se dhuna nuk është rastësore, por e organizuar nga Kurti,” tha ai, duke shtuar se Lista Serbe po përpiqet të tërheqë vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe të sigurojë mbështetje ligjore e materiale për komunitetin serb.