Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hyrë zyrtarisht në mandatin e tij të katërt pas betimit të kabinetit qeveritar më 19 shtator, por deri tani nuk ka marrë asnjë urim publik nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës.
Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ishte i pari që e uroi Ramën përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe duke përgëzuar Shqipërinë për rrugën e saj drejt integrimit europian, krerët e institucioneve të Kosovës kanë heshtur.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk kanë bërë deri më tani asnjë reagim për mandatin e ri të Ramës. Edhe partitë kryesore opozitare në Kosovë, përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën, nuk kanë dhënë ndonjë urim publik.
I vetmi mesazh nga Kosova ka ardhur nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ka uruar kolegen e saj shqiptare, Elisa Spiropali, pa përmendur kryeministrin Rama.
Ndërkohë, përveç Zelenskyt, Ramën e kanë uruar kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, duke vlerësuar miqësinë dhe mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë.
Heshtja nga Kosova shihet në vazhdën e raporteve të ftohta mes Ramës dhe Kurtit, të cilat janë përkeqësuar prej vitesh për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe qëndrimeve të ndryshme për çështjet rajonale. Përplasjet e hapura nisën që nga viti 2019 dhe u thelluan pas angazhimit të Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në vitin 2021.
Edhe vizitat e ndërsjella shpesh kanë qenë të tensionuara, siç ndodhi në korrik 2023 kur Kurti refuzoi një takim të veçantë me Ramën, duke kushtëzuar komunikimin me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të qeverive, e cila u anulua.
Në maj 2025, të dy u panë sërish bashkë në një samit rajonal, por edhe aty shtrëngimi i ftohtë i duarve mes tyre u komentua gjerësisht në media, duke reflektuar marrëdhëniet ende të acaruara.