Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar sot shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën e sotme dëshmoi Hasan Kerolli, ekspert i lartë për analiza të tregut dhe tregtim të energjisë në KEK, i cili tha se kompania është udhëzuar të vazhdojë tregtimin e energjisë edhe me kompani që nuk kishin licencë në Kosovë apo Shqipëri, pavarësisht njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ndalimin e një gjëje të tillë.
Sipas Kerollit, KEK-u ka vazhduar tregtimin e energjisë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane (HSE)”, e cila nuk ishte e licencuar as në Kosovë, as në Shqipëri, megjithëse kishte licencë në një shtet tjetër të Bashkimit Evropian.
“Pas marrjes së përgjigjes nga ZRRE, zyrtarët e KEK-ut janë udhëzuar që të vazhdojnë tregtimin e energjisë me të gjitha kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar deri atëherë”, deklaroi dëshmitari Kerolli.
Ai po ashtu pohoi se për këtë vendim ishte i njoftuar edhe kryeshefi Nagip Krasniqi, pasi kishte qenë i përfshirë në komunikimet zyrtare përmes email-it.
Megjithatë, i pyetur nga prokurori special Dren Paca nëse KEK-u kishte vazhduar tregtimin me HSE edhe pas ndërprerjes së kontratës, Kerolli e mohoi një gjë të tillë.
Dëshmitari sqaroi se deri në vitin 2021, përzgjedhja e operatorëve për tregtim të energjisë bëhej nga drejtori operativ, ndërsa nga dhjetori i vitit 2021 deri në fillim të vitit 2023, përzgjedhjen e kishte bërë kryeshefi Nagip Krasniqi.
Në seancë, avokati i të akuzuarit, Virtyt Ibrahimaga, pyeti Kerollin për kohën kur KEK-u kishte pranuar njoftimin nga ZRRE për ndalimin e tregtimit me kompani të pa licencuara. Dëshmitari tha se kjo kishte ndodhur në fund të majit të vitit 2022, por fillimisht në mënyrë jozyrtare.
Kerolli gjithashtu deklaroi se kontratat me kompaninë sllovene HSE ishin nënshkruar edhe para vitit 2018, ndërsa kontratat e reja ishin lidhur gjatë vitit 2018 me disa kompani, përfshirë edhe HSE.
Në një moment, ai sqaroi se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nuk paguhet kur energjia blihet në kufi.
Në seancën e kaluar, procesi ishte shtyrë për shkak të mungesës së dëshmitarit Skënder Muqolli, i cili kishte raportuar probleme shëndetësore.
Kujtojmë se më 3 korrik 2025, Nagip Krasniqi u deklarua i pafajshëm ndaj akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prokuroria Speciale pretendon se ai i ka mundësuar kompanisë sllovene HSE të tregtojë energji pa licencë në Kosovë, duke i shkaktuar shtetit dëm prej rreth 3.2 milionë eurosh.
Hetimet dhe procesi gjyqësor ndaj Krasniqit pritet të vazhdojnë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë në seancat e ardhshme.