Kompania Rajonale e Ujësjellësit, KRU “Prishtina”, ka bërë me dije se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të mëdha në furnizimin me ujë. Fabrika e ujit në Shkabaj është jashtë funksionit për shkak të nivelit shumë të lartë të turbullirave në kanalin “Ibër-Lepenc”.
Si pasojë, qytetarët e disa zonave do të përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë, përfshirë Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë.
KRU “Prishtina” njofton se reduktimet mund të ndikojnë edhe në zona të tjera të kryeqytetit dhe se ekipet teknike janë në terren duke monitoruar situatën vazhdimisht. Furnizimi me ujë do të rikthehet sapo të normalizohen parametrat në kanalin furnizues.
“Ne kërkojmë ndjesë për shqetësimet e shkaktuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme e natyrës. Bashkëpunojmë me ITU Albanik dhe Badoc për furnizim me ujë me kapacitet maksimal, deri në stabilizimin e plotë të situatës,” theksoi KRU “Prishtina” në njoftimin e saj.

