Isa Mustafa: Vjosa Osmani nuk është rugoviste! Me mua në krye, LDK-ja nuk do ta kishte votuar për presidente

by engel

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se po të ishte ende në krye të LDK-së, nuk do të lejonte që deputetët e kësaj partie ta votonin apo t’ia mundësonin Vjosa Osmanit zgjedhjen në postin e presidentes së Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Mustafa ka thënë se Osmani, gjatë pesë viteve të mandatit të saj, nuk ka vepruar si figurë neutrale, por ka mbajtur anën e qeverisë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, një qasje e tillë bie ndesh me parimet mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja.

banner

Ai ka theksuar se sjellja politike e presidentes nuk përkon me rugovizmin, duke e akuzuar atë se ka kontribuar në përçarjen dhe dëmtimin e LDK-së. Megjithatë, Mustafa ka shtuar se në rast se Osmani propozohet sërish për presidente, vendimi u takon deputetëve të LDK-së, të cilët, sipas tij, duhet të analizojnë situatën me kujdes dhe të mos nxitojnë.

Mustafa e ka akuzuar Osmanin edhe për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës, duke përmendur, ndër të tjera, rastin e shkarkimit të kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe bllokimin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

Duke komentuar deklaratat e deputetit të LDK-së, Ukë Rugova, i cili e ka cilësuar Osmanin si rugoviste, Mustafa ka qenë i prerë se veprimet e saj nuk kanë asnjë lidhje me trashëgiminë politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Sipas tij, një LDK e dobësuar dhe e përçarë i shërben vetëm krijimit të një shteti njëpartiak në Kosovë.

“Pa LDK-në nuk ka konkurrencë politike në Kosovë. Me një LDK të shkatërruar, vendi rrezikon të shndërrohet në shtet njëpartiak. Nëse dikush i kontribuon kësaj gjendjeje, atëherë nuk ka asnjë lidhje me Ibrahim Rugovën,” ka deklaruar Mustafa.

Ai ka shtuar se, në mungesë të një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Sipas tij, nëse LDK-ja kthjellet dhe arrin unitet të brendshëm, mund të sigurojë lehtësisht rreth 20 deputetë në Kuvend.

Në fund, Mustafa ka bërë të ditur se nuk ka asnjë ambicie personale për postin e presidentit, edhe nëse emri i tij do të propozohej nga LDK-ja. Ai ka përmendur edhe gjendjen e tij shëndetësore, duke rikujtuar sfidat me të cilat është përballur gjatë mandatit si kryeministër, përfshirë protestat e dhunshme dhe sulmet ndaj shtëpisë së tij.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy