Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa përpjekjet për armëpushim dhe stabilizim të situatës në rajon po përballen me pengesa serioze. Paralelisht, zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit dhe në Liban po rrisin shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se nuk ka presion kohor për t’i dhënë fund luftës me Iranin, ndërsa Shtëpia e Bardhë konfirmon se presidenti Donald Trump nuk ka vendosur ndonjë afat të ri për armëpushimin e zgjatur.
Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se ajo nuk mund të rihapet për shkak të “shkeljeve flagrante” të armëpushimit nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Edhe presidenti Masoud Pezeshkian ka theksuar se bllokada amerikane dhe mosrespektimi i zotimeve janë pengesat kryesore për rifillimin e negociatave.
Ndërkohë, Irani ka sulmuar tre anije transportuese që po përpiqeshin të kalonin nëpër ngushticë, duke ndaluar edhe anëtarë të ekuipazheve të tyre. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, çmimi i naftës është rritur, duke arritur rreth 103 dollarë për fuçi.
Në të njëjtën kohë, tensionet vazhdojnë edhe në Liban, ku pritet një raund i dytë bisedimesh mes palëve. Presidenti Joseph Aoun ka bërë të ditur se po punohet për zgjatjen e armëpushimit, ndërsa kryeministri libanez ka akuzuar Izraelin për krime lufte pas vrasjes së gazetares Amal Khalil dhe plagosjes së një personi tjetër në jug të vendit.

