Në kampin e Barcelonës, vëmendja është përqendruar te e ardhmja e një prej emrave më të mëdhenj të skuadrës: Robert Lewandowski. Zërat për një largim të mundshëm janë bërë gjithnjë e më të shpeshtë, duke shtuar pikëpyetjet mbi vazhdimësinë e sulmuesit polak në “Camp Nou”, me “bigët” italianë Milan dhe Juventus, të cilët janë në dritare për të mësuar më shumë mbi raportin e polakut dhe drejtuesëve katalanas.
Megjithatë, trajneri Hansi Flick mban një qëndrim të qartë: për të, Lewandowski mbetet titullari kryesor në repartin ofensiv. Në deklaratat e fundit, tekniku gjerman ka konfirmuar se ka pasur komunikim me lojtarin për të ardhmen, por pa zbuluar detaje konkrete, duke lënë të hapur çdo skenar.
Në një sezon me ulje-ngritje dhe në një moment delikat për klubin katalanas, përvoja dhe instinkti i golit i Lewandowskit vazhdojnë të jenë një garanci e rëndësishme. Edhe pse konkurrenca në sulm është rritur dhe roli i tij nuk është më aq i padiskutueshëm si më parë, ai mbetet një pikë referimi për skuadrën.
Ndërkohë, drejtuesit e Barcelonës janë të angazhuar në një proces riorganizimi, që mund të ndikojë edhe në vendimet për të ardhmen e lojtarëve kryesorë. Por deri në një vendim përfundimtar, një gjë është e sigurt: Lewandowski mbetet në qendër të projektit të Flick, të paktën për momentin.

