Dhjetë vjet më parë, një ëndërr që për dekada ishte mbajtur gjallë nga gjenerata të tëra sportistësh dhe tifozësh u bë realitet. Më 13 maj 2016, emri i Kosovës u shqiptua zyrtarisht në mesin e shteteve anëtare të FIFA-s, duke shënuar një nga fitoret më të mëdha në historinë e sportit kosovar dhe një kapitull të ri për futbollin në vend.
Sot bëhen plot dhjetë vjet nga anëtarësimi historik i Kosovës në FIFA. Në Kongresin e mbajtur në Meksiko, Kosova u pranua si anëtarja e 210-të e organizatës më të madhe të futbollit botëror, pas një votimi bindës me 141 vota pro.
Ky vendim i dha fund izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar dhe hapi dyert për pjesëmarrje të barabartë në garat ndërkombëtare. Ishte një moment emocionues për të gjithë sportdashësit, ndërsa presidenti legjendar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, deklaroi në atë ditë historike se “futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin”.
Një dekadë më pas, Kosova vazhdon të jetë pjesë aktive e skenës ndërkombëtare të futbollit. Kombëtarja dhe klubet kosovare garojnë rregullisht në kompeticionet evropiane dhe botërore, duke përfaqësuar vendin me krenari dhe duke dëshmuar progresin e vazhdueshëm të futbollit kosovar.
Përvjetori i dhjetë i anëtarësimit në FIFA rikthen në kujtesë jo vetëm një sukses sportiv, por edhe një moment historik që bashkoi qytetarët e Kosovës rreth një ëndrre të përbashkët.

