Malisheva vazhdon të shkruajë historinë në futbollin kosovar. Skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane për sezonin e tretë radhazi, pasi triumfoi bindshëm ndaj Drenicës me rezultat të thellë 4:1.
Pas një pjese të parë pa gola, Malisheva shpërtheu në vazhdim të takimit dhe e dominoi plotësisht kundërshtarin. Serinë e golave e hapi Assane Diatta në minutën e 67-të, duke i dhënë qetësi vendasve në një ndeshje vendimtare për objektivat e sezonit.
Kur ndeshja po hynte në minutat e fundit, Malisheva shënoi edhe tre herë të tjera brenda pak minutash. Arlind Veliu realizoi për 2:0 në minutën e 85-të, ndërsa vetëm disa sekonda më pas, Diatta realizoi golin e tij të dytë personal për 3:0.
Festës iu bashkua edhe Xhemajl Ibishi, i cili shënoi për 4:0 dy minuta më vonë, duke vulosur një fitore spektakolare të skuadrës së tij.
Drenica arriti ta zbusë humbjen vetëm në sekondat e fundit të takimit, duke realizuar golin e nderit për rezultatin përfundimtar 4:1.
Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në kuotën e 56 pikëve dhe forcon pozitën e tretë në tabelë, duke siguruar matematikisht daljen në Evropë. Në anën tjetër, Drenica mbetet në vendin e shtatë me 44 pikë, vetëm një më shumë se KF Llapi që mban pozitën e barazhit.

