“Furia e kuqe”, po përballet me një alarm serioz vetëm pak javë para fillimit të Kupës së Botës, teksa Luis de la Fuente rrezikon të mbetet pa yllin më të madh të skuadrës në startin e turneut.
Pas lajmit për dëmtimin e Fermín Lopezit, tashmë edhe prezenca e Lamine Yamalit në ndeshjet e para të Spanjës është vënë në pikëpyetje, duke trazuar planet e kombëtares spanjolle në prag të sfidës botërore në Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimeve të “The Athletic”, 18-vjeçari ka shumë pak gjasa të jetë gati për ndeshjen hapëse ndaj Cape Verde më 15 qershor. Sulmuesi i Barcelonës vazhdon rikuperimin nga një dëmtim në muskujt e kofshës dhe konsiderohet gjithashtu në dyshim serioz edhe për përballjen e dytë kundër Arabisë Saudite më 21 qershor.
Pesë ditë më pas, Spanja do të luajë sfidën e fundit të grupit ndaj Uruguait, ndërsa stafi teknik shpreson që Yamali të jetë në dispozicion të paktën për fazën eliminatore.
Ndërkohë, situata është bërë edhe më shqetësuese për trajnerin Luis de la Fuente, pasi vetëm të hënën u raportua se Fermín Lopezi pritet të humbasë të gjithë turneun për shkak të një dëmtimi në këmbë, të pësuar pas fitores 3-1 të Barcelonës ndaj Real Betisit. Mesfushori konsiderohej pothuajse i sigurt në listën përfundimtare të Spanjës.
Vetë Lamine Yamali dha një sinjal për gjendjen e tij gjatë një eventi të “King’s League”, ku u pyet nëse do të ekzekutonte një penallti. Me humor ai u përgjigj:
“Sigurisht që jo unë, nuk do të prek top deri në Kupën e Botës.”
Deklarata e tij u interpretua si shenjë optimizmi për rikthimin në kohë, edhe pse situata mbetet delikate.
Përveç Yamalit, Spanja po monitoron edhe gjendjen fizike të Nico Williamsit dhe Mikel Merinos, duke shtuar shqetësimet për formën e lojtarëve kyç para nisjes së turneut.
Lista përfundimtare e Spanjës për Kupën e Botës do të publikohet më 25 maj

