Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me spekulimet e shumta që po qarkullojnë rreth të ardhmes së yllit brazilian, Vinicius Junior, dhe mundësisë së rinovimit të kontratës së tij me klubin madrilen.
Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i gjigantit spanjoll u pyet nëse sulmuesi brazilian do ta vazhdojë bashkëpunimin me “Los Blancos”, ndërsa përgjigjja e tij ka tërhequr menjëherë vëmendjen e opinionit sportiv,
“Nuk e di nëse do ta rinovojë kontratën”, deklaroi shkurt Perez, duke lënë të hapur çdo mundësi sa i përket të ardhmes së lojtarit.
Megjithatë, presidenti i Real Madridit theksoi se dëshira e tij është që Vinicius të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe në vitet e ardhshme, duke e vlerësuar atë si një nga futbollistët më të mirë në skenën botërore.
“Nëse më pyesni për mendimin tim, unë dëshiroj që ai të qëndrojë te Real Madridi, sepse është një nga më të mirët në botë”, u shpreh numri një i klubit madrilen.
Deklaratat e Florentino Perez vijnë në një periudhë kur raportimet për të ardhmen e Vinicius Jr janë shtuar ndjeshëm. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar vazhdimisht se disa prej klubeve më të mëdha në futbollin evropian, por edhe ekipe me fuqi të madhe financiare nga Lindja e Mesme, po monitorojnë me interes situatën e brazilianit.
Vinicius vazhdon të konsiderohet një nga shtyllat kryesore të Real Madridit dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm në projektin afatgjatë të klubit.
Performancat e tij në sezonet e fundit e kanë shndërruar atë në një nga figurat më të spikatura të skuadrës madrilene dhe në një nga emrat më të vlerësuar të futbollit botëror.

