Edhe pse Arne Sloti mbetet në garë, Oliver Glasneri vazhdon të jetë kandidati kryesor për stolin e Milanit dhe raportohet se ai po përgatit një prezantim për takimin e planifikuar të martën.
“Rossonerët” aktualisht janë pa trajner, drejtor sportiv, drejtor ekzekutiv dhe drejtor teknik, pasi Massimiliano Allegri, Igli Tare, Giorgio Furlani dhe Geoffrey Moncada u shkarkuan të gjithë njëkohësisht.
Si pjesë e një rindërtimi të plotë të klubit, Milani është në kërkim të një trajneri të ri dhe lista e kandidatëve duket se është ngushtuar në dy emra.
Sloti është i lirë pas largimit nga Liverpooli, vetëm një vit pasi fitoi titullin e Premierligës, por Glasneri mbetet objektivi kryesor falë suksesit të tij në Ligën e Konferencës me Crystal Palace.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, një takim është planifikuar të martën në Austri me Glasnerin dhe kandidatin për postin e drejtorit teknik, Ralf Rangnickun.
Trajneri austriak po analizon me kujdes skuadrën aktuale të Milanit dhe po përgatit një prezantim të detajuar mbi pikat e forta dhe të dobëta të ekipit.
Ai dëshiron të jetë i përgatitur për çdo pyetje të vështirë dhe të paraqesë një listë me lojtarët që, sipas tij, duhet të qëndrojnë ose të largohen nga klubi.
Në këtë vlerësim përfshihen edhe futbollistët që do të rikthehen në Milan pas huazimeve jo të suksesshme te klube të tjera.
Ndërkohë, “Corriere della Sera” raporton se edhe emërimi i Rangnickut si drejtor teknik nuk është plotësisht i sigurt, pasi këshilltari special i “RedBird”, Zlatan Ibrahimovići, beson se nuk duhet t’i jepet shumë pushtet një personi të vetëm brenda strukturës drejtuese të klubit.

