Benfica ka konfirmuar zyrtarisht se trajneri portugez, José Mourinho, do të largohet për t’iu bashkuar Real Madrid.
Sipas njoftimit të klubit portugez, drejtuesit e Realit e kanë shprehur zyrtarisht synimin për ta aktivizuar klauzolën e lirimit të Mourinhos, e cila e kap vlerën e 15 milionë eurove,
Trajneri portugez e ka pranuar ofertën dhe pritet ta nisë aventurën e tij të dytë në bankinën e gjigantit spanjoll.
Kthimi i Mourinhos në “Santiago Bernabéu” vjen pas më shumë se një dekade nga aventura e tij e parë te Real Madridi, ku ai e kishte drejtuar skuadrën nga viti 2010 deri në vitin 2013, duke e fituar titullin e La Ligës, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.
Ndërkohë, Benfica ka bërë të ditur se pas largimit të Mourinhos, drejtimin e skuadrës do ta marrë trajneri portugez Marco Silva, i cili është përzgjedhur si pasardhësi i tij.
Real Madridi ende nuk e ka publikuar një komunikatë zyrtare për prezantimin e Mourinhos, por mediat ndërkombëtare raportojnë se marrëveshja është e mbyllur dhe rikthimi i “Special One” në Madrid tashmë konsiderohet çështje e kryer.

