Trajneri i Portugalisë, Roberto Martínez, ka deklaruar se pret një ndeshje shumë e rëndësishme ndaj Nigerisë, në miqësoren që zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Estadio Dr. Magalhaes Pessoa” në Leiria.
Kjo përballje vjen në një moment të ndryshëm për të dy kombëtaret. Nigeria po kalon një fazë rindërtimi pas dështimit për t’u kualifikuar në Botërorin 2026, ndërsa Portugalia po përgatitet për turneun dhe ndeshjen e parë ndaj Republikës Demokratike të Kongos.
Të dy skuadrat vijnë pas rezultateve pozitive në miqësoret e fundit: Nigeria barazoi 2-2 me Poloninë, ndërsa Portugalia fitoi 2-1 ndaj Kilit.
Në konferencën për shtyp, Martínez e ka vlerësuar Nigerinë, duke thënë se pret një sfidë të fortë.
“Pres një ndeshje shumë konkurruese ndaj Nigerisë. Ata kanë lojtarë me cilësi të lartë dhe do të jetë një test i mirë për ne”, ka thënë trajneri spanjoll.
Ai ka shtuar se edhe mungesa e yjeve si Victor Osimhen dhe Ademola Lookman nuk e ul nivelin e Nigerisë, pasi skuadra ka alternativa të forta dhe lojtarë me përvojë.
Portugalia, e cila kërkon trofeun e parë të Botërorit në histori, do ta nisë fushatën e saj më 17 qershor, ndërsa në grup do të përballet edhe me Uzbekistanin dhe Kolumbinë

