Fenerbahçe po e synon yllin e Realit, pasi e ‘siguroi’ Salahun

by Nexhat

Fenerbahçe dëshiron një yll të Real Madridit për ta udhëhequr klubin në të ardhmen përkrah ish-yllit të Liverpoolit, Mohamed Salahun, sipas raportimeve.

Salahu i dha fund muajin e kaluar një periudhe të shkëlqyer nëntëvjeçare te Liverpooli, duke zhvilluar ndeshjen e tij të fundit kundër Brentford në “Anfield”, pasi ra dakord të ndërpriste kontratën dyvjeçare një sezon më herët.

banner

Egjiptiani, i cili shënoi 257 gola për Liverpoolin, e mbylli marrëveshjen me pëlqim të dyanshëm dhe tani po përgatitet për lëvizjen e fundit të karrierës së tij në Evropë.

Edhe pse aktualisht po përgatitet për Kupën e Botës me Egjiptin, Salahu thuhet se ka dhënë dritën jeshile për t’iu bashkuar Fenerbahçes.

Duke folur para se të zgjidhej president, Aziz Yildirim deklaroi se klubi “do ta transferojë atë”, ndërsa anëtari i bordit Ertan Torunogullari pretendoi se Salahu është “shumë i interesuar” për t’u bashkuar me klubin dhe se janë zhvilluar “takime jashtëzakonisht pozitive”.

Por kjo nuk është e gjitha, pasi raportime të reja nga “Fanatik” pretendojnë se Fenerbahçe po synon edhe një tjetër përforcim të madh.

Presidenti Yildirim, i angazhuar tashmë në planifikimin e merkatos, pritet të kontaktojë drejtpërdrejt Florentino Perez për një transferim të mundshëm të Brahim Diaz.

Fenerbahçe e ka identifikuar reprezentuesin maroken si një nga objektivat kryesore dhe dëshiron të testojë gatishmërinë e Real Madridit për ta shitur atë.

Yildirim pritet të kontaktojë personalisht Perezin, i cili gjithashtu është rizgjedhur së fundmi president, përpara se ekipi i rekrutimit të vazhdojë negociatat.

Nëse bisedimet fillestare avancojnë, Fenerbahçe do të kërkojë të nisë negociata me Diazin dhe përfaqësuesit e tij, ku babai i lojtarit, Sufiel Abdelkader, pritet të ketë rol të rëndësishëm.

26-vjeçari ka edhe një vit kontratë në “Bernabeu” dhe mund të largohet si pjesë e rindërtimit të skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho.

Real Madridi tashmë ka arritur marrëveshje për transferimin e Denzel Dumfries, Bernardo Silva dhe Ibrahima Konate, ndërsa ka nevojë edhe për largime.

Diaz, i cili ka zhvilluar 163 paraqitje me klubin madrilen, është një nga kandidatët për t’u larguar pasi nuk konsiderohet pjesë e planeve afatgjata të skuadrës.

Raportohet se Real Madridi është i hapur ndaj ofertave dhe madje mund të pranojë ta shesë për më pak se vlera e tij në treg prej 30 milionë eurosh.

Së bashku, Diaz dhe Salah mund t’i japin një dimension të ri sulmit të Fenerbahçes dhe të bëjnë diferencën në kampionatin turk, pasi skuadra e Stambollit e mbylli sezonin e kaluar vetëm tre pikë pas kampionit Galatasaray.

Diaz po përgatitet për Kupën e tij të parë të Botës me Marokun, pasi ishte golashënuesi më i mirë në Africa Cup of Nations më herët gjatë këtij viti.

Ai humbi një penallti në finalen e diskutueshme kundër Senegal, e cila fillimisht u fitua nga Senegali, por më pas trofeu iu dha Marokut pasi senegalezët u larguan nga fusha në shenjë proteste

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy