Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj katër zyrtarëve të Aeroportit “Adem Jashari” 

by Nexhat

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte liruar nga akuza zyrtarët e Aeroportit “Adem Jashari”, Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov-Alekov, të cilët ishin akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Themelorja kishte shpallur aktgjykimin më 7 mars 2025, duke theksuar se nuk ishte provuar se të akuzuarit kishin kryer veprën penale për të cilën ishin ngarkuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Ndaj vendimit të Themelores, kishte parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, për shkak të shkeljes esenciale të ligjit dhe vërtetimit të gabuar te gjendjes faktike, duke propozuar që Apeli t’i shpallë fajtorë të akuzuarit dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Përmes përgjigjes në ankesë, mbrojtësit e të akuzuarit Martin Biserov-Alekov, kishin theksauar se aktgjykimi është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë.

Gjetjet e Apelit

Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkeljet e pretenduara të procedurës penale për faktin se dispozitivi është i qartë, i kuptueshëm dhe në përputhje të plotë me arsyetimin.

Sipas Apelit, Prokuroria në ankesë kishte përmendur në mënyrë të përgjithësuar vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, por nuk ka theksuar raste konkrete kur Themelorja ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike apo ndonjë provë.

Në vendim të Apelit, thuhet se Themelorja ka administruar të gjitha provat dhe si rezultat ka gjetur se veprimet e të akuzuarve nuk përmbushin elementet e veprës penale me të cilën ngarkoheshin.

Apeli thekson se vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” mund të kryhet vetëm nga persona zyrtarë, ndërsa të akuzuarit nuk hyjnë në kategorinë e personave zyrtarë, përderisa Aeroporti “Adem Jashari” menaxhohet nga një kompani private.

Për këto arsye, Apeli vendosi të vërtetojë vendimin e Themelores.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtarë të licencuar operatorë për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov-Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikës dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se më 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mosveprimeve, thuhet se valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Biserov-Alekov, si mbikëqyrës i pajisjeve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Kështu, aktakuza thotë se 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov-Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuara dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas Prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Prokuroria katër të akuzuarit i ngarkonte se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy