Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi aktakuzën kundër Rozeta Hajdarit, Ridvan Muharremit dhe I.L., H.G. për rastin e rezervave shtetërore
Apeli, pas shqyrtimit të shkresave dhe pretendimeve të palëve në ankesë, ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në pajtim me dispozitat e procedurës penale, si dhe në mbështetje të provave dhe dëshmive që përmban çështja penale, andaj ka vendosur që t’i refuzojë si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe të vërtetojë aktvendimin e ankimuar, ashtu që çështja penale në fjalë të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Apelit e lë në fuqi aktakuzën kundër R.H., I.L., H.G. dhe R.M., për rastin e rezervave shtetërore
Prishtinë, 13 nëntor 2026 – Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve të lartcekur, duke e vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.68/2025, të datës 13.03.2026.
Sipas aktvendimit të shkallës së parë, në çështjen penale ndaj të pandehurve R.H., I.L., H.G., për veprën penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK, të pandehurit R.M., për veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 dhe 33 të KPRK, si dhe ndaj të pandehurit H.G., për veprën penale zbulimi i fshehtësisë zyrtare, nga neni 426, paragrafi 1 të KPRK, dhe të pandehurve R.H., I.L. dhe H.G., për veprën penale zbulimi i fshehtësisë zyrtare, nga neni 426, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK, pas shqyrtimit të kundërshtimeve të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve të lartcekur, është vendosur që çështja në fjalë të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Kolegji i Apelit, pas shqyrtimit të shkresave dhe pretendimeve të palëve në ankesë, ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në pajtim me dispozitat e procedurës penale, si dhe në mbështetje të provave dhe dëshmive që përmban çështja penale, andaj ka vendosur që t’i refuzojë si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe të vërtetojë aktvendimin e ankimuar, ashtu që çështja penale në fjalë të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.

