Në interpelancën e sotme të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e barnave, deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, u mundua t’i mbajë përgjegjës ish-qeveritë e kaluara, duke përmendur raste të së kaluarës.
Në njërën prej replikave të tij ndaj deputetit të LDK’së, Armend Zemaj, i cili kishte qenë ministër i Shëndetësisë, tha se në kohën e tij “katër pacientë kanë vdekur për mungesë oksigjeni”
“Normalisht që ka raste të ndjeshme, shumë të ndjeshme dhe do të ketë që trajtohen në klinikat përkatëse. Por, është hipokrizi që një ish-ministër si zoti Zemaj, që në kohën e tij kanë vdekur katër pacientë për shkak të oksigjenit, për shkak të tenderëve të këqij që i kanë bërë, për shkak të kompanive të afërta që iu kanë dhënë tendera pa asnjë kriter, brenda natës në Klinikën Infektive kanë vdekur katër pacientë. Asnjë fjalë s’e thotë, ministër ka qenë”.
Një akuzë tjetër e pati edhe për PDK’në.
“Në anën tjetër, kur ka qenë PDK-ja, tre pacientë kanë vdekur në sallën e operacioneve brenda një periudhe të shkurtër pikërisht për shkak që kanë marrë pajisje të palicencuara dhe kanë bërë veprime kriminale e janë paguar me jetë njerëzish”.
Por këtu i doli kundër Vitia, i cili i tha se “për korrektësi” duhet të thuhet se këto vdekje më 2017 s’kanë qenë përgjegjësi e ministrit të atëhershëm.
“Për korrektësi në fjalën që e tha zoti Azemi, vdekjet që kanë ndodhur në vitin 2017 nëse s’gaboj, kanë qenë jo përgjegjësi nga ministri i Shëndetësisë atëherë. Domethënë pas vdekje iu kanë paraqitur në tavolinën e ministrit. Për korrektësi”, i tha Vitia bashkëpartiakut të tij.

