Kapiteni i Spanjës, Rodri, ka paralajmëruar Portugalinë se kombëtarja spanjolle ende nuk ka arritur kulmin e formës në Kupën e Botës 2026, pavarësisht paraqitjeve bindëse në ndeshjet e fundit.
Në prag të duelit të së hënës në 1/8 e finales, mesfushori i Manchester Cityt theksoi se skuadra ka ardhur duke u përmirësuar nga ndeshja në ndeshje dhe beson se më e mira ende nuk është parë.
Spanja e nisi turneun me një barazim befasues 0-0 ndaj debutueses Kepi i Gjelbër, por më pas reagoi fuqishëm duke mposhtur Arabinë Saudite 4-0, Uruguain 1-0 dhe Austrinë 3-0 për të siguruar kualifikimin në fazën eliminatore.
“Ecuria e Spanjës në këtë turne ka qenë graduale. Kjo është normale, sepse në ndeshjet e para duhet të përshtatesh me ambientin, fushat dhe kundërshtarët e ndryshëm. Nuk është kurrë e lehtë,” tha Rodri.
Ai shtoi se skuadra ka bërë progres të vazhdueshëm dhe se sfidat më të rëndësishme sapo kanë filluar.
“Jemi rritur gradualisht dhe e dimë se tani vijnë ndeshjet më të mëdha. Besoj se kemi ende shumë hapësirë për t’u përmirësuar,” u shpreh kapiteni i Spanjës.
Rodri u ndal edhe te barazimi pa gola ndaj Kepit të Gjelbër në ndeshjen hapëse, duke theksuar se ekipi nuk u ndikua nga ai rezultat.
“Nuk e humbëm qetësinë. Qëndruam të përqendruar dhe vazhduam punën tonë. Edhe tani mendoj se kemi ende shumë potencial për të dhënë më shumë,” përfundoi ai.
Spanja do të përballet me Portugalinë në një nga sfidat më tërheqëse të 1/8 së finales, ku përballë do të jetë edhe Cristiano Ronaldo me bashkëlojtarët e tij

