Wayne Rooney ka reaguar ashpër ndaj vendimit të FIFA-s për ta pezulluar zbatimin e kartonit të kuq të sulmuesit të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, duke e cilësuar atë si “turp absolut”.
Balogun u ndëshkua me karton të kuq direkt në fitoren 2-0 të SHBA-së ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës në raundin e 1/16-tës, për lojë të rrezikshme, pasi shkeli në kyçin e Tarik Muharemovic.
Kjo nënkuptonte se 25-vjeçari, i cili ka shënuar tre gola në këtë Kupë të Botës, do të dënohej automatikisht me një ndeshje pezullim dhe pritej të mungonte në përballjen e SHBA-së ndaj Belgjikës në Seattle.
Megjithatë, të dielën në mbrëmje erdhi një zhvillim i jashtëzakonshëm: pezullimi i Balogun u shty për një periudhë prove prej një viti, që do të thotë se ai është i lirë të luajë kundër Belgjikës.
Sipas raportimeve të “The New York Times”, presidenti amerikan Donald Trump kishte telefonuar personalisht presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar që dënimi të rishikohej.
Fillimisht, Federata Amerikane e Futbollit nuk kishte apeluar sanksionin, por thuhet se zyrtarë të lartë të administratës Trump, përfshirë Andrew Giuliani, drejtor ekzekutiv i task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, angazhuan avokatë për të ndihmuar federatën amerikane të kërkonte apelim, pavarësisht rregullave të FIFA-s kundër një procedure të tillë.
Pas vendimit për pezullimin e dënimit, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social: “Faleminderit FIFA-s që bëri gjënë e duhur dhe përmbysi një padrejtësi të madhe!”
FIFA është mbështetur te neni 27 i Kodit të saj Disiplinor për të shpjeguar pse vendosi ta pezullojë zbatimin e dënimit. Ky nen përcakton se FIFA mund të vendosë ta pezullojë plotësisht ose pjesërisht zbatimin e një mase disiplinore, duke vendosur një periudhë prove nga një deri në katër vjet për lojtarin.
“Nëse Folarin Balogun kryen një tjetër shkelje të natyrës dhe peshës së ngjashme gjatë periudhës së provës prej një viti, pezullimi do të rikthehet dhe sanksioni do të zbatohet, pa paragjykuar ndonjë dënim shtesë për shkeljen e re”, thuhej në deklaratën e FIFA-s.
Ky vendim nuk ka precedent në vetë Kupën e Botës, pasi 11 lojtarët e tjerë të përjashtuar gjatë turneut janë dënuar me pezullim.
Megjithatë, para Botërorit, FIFA kishte pezulluar dy ndeshjet e fundit të dënimit prej tri ndeshjesh të Cristiano Ronaldos, që do ta kishte lënë jashtë dy ndeshjeve të para të Portugalisë në fazën e grupeve. Edhe në atë rast u vendos një periudhë prove njëvjeçare, ndërsa Ronaldo e kreu vetëm një ndeshje pezullim në ndeshjen e fundit kualifikuese të Portugalisë.
“Infantino duhet të turpërohet”
Vendimi i FIFA-s për Balogun u diskutua gjatë transmetimit të BBC-së pas fitores 3-2 të Anglisë ndaj Meksikës.

Në atë ndeshje, Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq direkt në pjesën e dytë, ndërsa trajneri Thomas Tuchel bëri shaka se ndoshta do t’i kërkonte kapitenit Harry Kane ta telefononte personalisht Trumpin për të kërkuar rishikim të vendimit.
Por para ndeshjes, ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Anglisë, Wayne Rooney, kishte një qëndrim shumë më të ashpër.
“Mendoj se është turp absolut. Vërtet kështu mendoj”, tha Rooney.
“E di që ishte UEFA, por unë mora një dënim prej tri ndeshjesh para Euro 2012”, kujtoi ai. “Duhej t’i humbisja tri ndeshjet e fazës së grupeve, por më thanë se nëse shkoja në Zvicër dhe bëja një seancë stërvitore me disa fëmijë, ndeshja e tretë do të më hiqej nga dënimi.”
“Unë pranova ta bëja, sepse nuk doja të humbisja tri ndeshje, por edhe atëherë mendova se ishte gabim.”
“Sa i përket këtij rasti, ose ia heqin kartonin e kuq fare – që ndoshta do të ishte vendimi i duhur – dhe atëherë ai luan. Por ta pezullosh dënimin për një vit? Për mua është turp absolut. Infantino duhet të turpërohet për këtë.”
“Fryma sportive e kësaj loje është vënë në pikëpyetje. Nëse do të isha kundërshtar i SHBA-së, do të isha i tërbuar. Është gabim në çdo aspekt. Nëse je lojtar i Anglisë sonte, apo lojtar i Meksikës, dhe merr karton të kuq, a pret të luash në ndeshjen tjetër? Ku ndalet kjo?”
Belgjika reagon ashpër ndaj FIFA-s
Federata Mbretërore e Futbollit të Belgjikës reagoi menjëherë pas njoftimit për pezullimin e dënimit të Balogun, duke u shprehur “e habitur” nga vendimi dhe duke konfirmuar se po shqyrton “të gjitha opsionet e mundshme”.
“FIFA e bazon vendimin e saj në nenin 27 të Kodit Disiplinor të FIFA-s”, thuhej në reagimin e federatës belge. “Ky nen përcakton se Komisioni Disiplinor i FIFA-s mund të vendosë ta pezullojë zbatimin e një sanksioni disiplinor të dhënë më parë.”
“Megjithatë, neni 66.4 i të njëjtit Kod Disiplinor përcakton qartë se një karton i kuq sjell automatikisht pezullim për ndeshjen e ardhshme të ekipit, siç ka ndodhur me të gjithë kartonët e kuq të dhënë më herët gjatë kësaj Kupe të Botës.”
Federata belge shtoi se vendimi bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë edhe me Rregulloren e Garës së Kupës së Botës 2026, konkretisht me nenin 10.5, i cili përcakton se një lojtar apo zyrtar i ekipit i përjashtuar me karton të kuq direkt ose indirekt pezullohet automatikisht për ndeshjen pasuese të skuadrës së tij.
Sipas RBFA-së, natyra automatike e këtij pezullimi është konfirmuar qartë edhe në qarkoren numër 16 të FIFA-s për Botërorin 2026, të shpërndarë te të gjitha federatat pjesëmarrëse më 12 maj 2026.
E njëjta rregull, sipas belgëve, përsëritet në çdo takim koordinues para ndeshjeve dhe është përfshirë në të gjitha prezantimet zyrtare të FIFA-s për këtë turne.
“Për të mbrojtur të drejtat legjitime të të gjitha skuadrave pjesëmarrëse dhe parimet themelore të fair-play-t në sportin tonë, si në këtë Botëror ashtu edhe në edicionet e ardhshme të turneut, RBFA po shqyrton të gjitha opsionet e mundshme”, përfundon reagimi i federatës belge.
Vendimi për Balogun tani ka hapur një debat të madh për drejtësinë sportive, ndikimin politik dhe mënyrën se si FIFA i interpreton rregullat e veta në fazat më të rëndësishme të Kupës së Botës.

