‘Goditja’ e BE’së ndaj Serbisë – Holanda, Kroacia e 6 shtete të tjera i thonë “Jo” për Kapitullin 3 për anëtarësim

by Nexhat

Serbia ka marr një goditje të madhe për përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, pasi që ambasadorët e BE-së, të mbledhur të mërkurën në Bruksel, nuk arritën të sigurojnë unanimitet për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë në bllok.

Tetë nga 27 shtetet anëtare kundërshtuan hapjen e Kapitullit 3 – i cili përqendrohet te konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse – gjatë një takimi të ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, konfirmuan për Euronewstre diplomatë të BE-së.

banner

Shtetet që kundërshtojnë hapjen e Kapitulli 3 janë: Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia.

Tre shtete të tjera – Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia – nuk e kundërshtojnë plotësisht, por ende nuk janë të bindura. Ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Serbisë është Franca.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar më herët se Bashkimit Evropian i nevojitet një Serbi e fortë dhe demokratike në krah.

Shtetet që mbështesin Serbinë shprehin shqetësimin se izolimi i mëtejshëm i vendit të Ballkanit Perëndimor mund të ketë pasoja negative dhe se përpjekjet e tij për reforma duhet të shpërblehen.

“Standarde të dyfishta”

Serbia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 2012. Deri më tani janë hapur 22 kapituj negociues, ndërsa dy prej tyre janë mbyllur përkohësisht.

Për hapjen ose mbylljen e çdo kapitulli negociues kërkohet mbështetja unanime e të 27 shteteve anëtare të BE-së. Klasterët janë grupe tematike që përfshijnë fusha të ndryshme të legjislacionit dhe politikave.

Ish-kryeministrja serbe Ana Brnabić ka kundërshtuar pretendimet se vendi i saj është pro-rus, duke deklaruar për Euronews se Serbia ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, ndërsa akuzoi BE-në për përdorimin e “standardeve të dyfishta” në procesin e anëtarësimit.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Euronews të hënën se një dokument, i cili shpjegon pse Komisioni vlerëson se “hapat e fundit” të ndërmarrë nga autoritetet serbe justifikojnë hapjen e Kapitullit 3, u ishte shpërndarë shteteve anëtare.

Sipas dokumentit të parë nga Euronews, Serbia ka zbatuar një pjesë të konsiderueshme të angazhimeve të marra për të adresuar shqetësimet e vendeve anëtare, përfshirë shfuqizimin e ndryshimeve të diskutueshme në ligjet për gjyqësorin, si dhe përparim në lirinë e medias, kuadrin zgjedhor dhe bashkëpunimin me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Edhe pse Serbia ende nuk është harmonizuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, Komisioni thekson se Beogradi ka bashkëpunuar për të parandaluar shmangien e sanksioneve, ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për Ukrainën dhe ka intensifikuar kontaktet politike me Kievin.

Megjithatë, dokumenti pranon se puna e Serbisë është ende larg përfundimit, duke theksuar se “nevojitet punë e mëtejshme” për reformën në drejtësi dhe sistemin e prokurorisë.

Takimi i së mërkurës u mbajt pikërisht për të parë nëse shtetet anëtare ndajnë këtë vlerësim të Komisionit.

“Zhvillime pozitive”

Një diplomat i BE-së, duke folur për Euronews në kushte anonimiteti, tha se kundërshtimi i tetë shteteve lidhet kryesisht me problemet e Serbisë në sundimin e ligjit dhe me mosharmonizimin e saj me sanksionet ndaj Rusisë.

Një tjetër diplomat tha se disa shtete pajtohen me vlerësimin pozitiv të Komisionit, duke konsideruar se Serbia i ka përmbushur, ose është në rrugë të mirë për të përmbushur kriteret për hapjen e Klasterit 3.

Disa zyrtarë të lartë të BE-së kanë mbështetur publikisht hapjen e këtij klasteri, veçanërisht pasi presidenti serb Aleksandar Vučić tërhoqi në qershor ndryshimet e diskutueshme në ligjet për gjyqësorin, pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, është ndër mbështetëset më të zëshme të këtij hapi.

“Në dritën e disa zhvillimeve të fundit pozitive, Komisioni ka ripërtërirë rekomandimin e tij ndaj Këshillit për hapjen e Klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë”, deklaroi Kos të martën në Parlamentin Evropian në Strasburg.

“Ai do të vazhdojë gjithashtu të nxisë përparimin e reformave në dobi të të gjithë qytetarëve dhe shoqërisë serbe.”

“Të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian”

Po të mërkurën, Parlamenti Evropian miratoi me shumicë dërrmuese raportin për zgjerimin e Serbisë për vitin 2025, me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime.

Raporti përmban rekomandime për reformimin e procesit zgjedhor, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai rithekson gjithashtu se Klasteri 3 është teknikisht i gatshëm për t’u hapur.

Eurodeputeti kroat Tonino Picula, raportues i këtij dokumenti, deklaroi pas votimit se situata në Serbi është përkeqësuar gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, reformat kanë ngecur dhe ritmi i tyre është ngadalësuar.

“Ndërsa Bashkimi Evropian po përjeton një momentum të ri të zgjerimit, me Malin e Zi dhe Shqipërinë që po avancojnë në negociatat e anëtarësimit, reformat e lidhura me BE-në në Serbi kanë ngecur në disa fusha kyçe, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe standardet demokratike”, tha ai.

I pyetur pse qëndrimi i Parlamentit Evropian ndryshon nga rekomandimi i Komisionit për hapjen e Klasterit 3, Picula u shpreh i habitur.

“Raporti ynë bazohet në vlerësimet dhe konstatimet e vetë Komisionit. Prandaj për ne është e paqartë se ku e sheh Komisioni këtë përparim”, deklaroi ai.

Pas publikimit të raportit në fund të vitit të kaluar, presidenti Aleksandar Vučić mbrojti gatishmërinë e Serbisë për të zbatuar reformat.

“Ne duhet t’i marrim parasysh të gjitha vërejtjet dhe të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian”, tha Vučić, duke shtuar se “Serbia është plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe do ta ndjekë atë me seriozitet dhe përgjegjësi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy