Të paktën 12 të vdekur pasi një nga ‘‘zjarret më vdekjeprurëse’’ në historinë e vendit përfshiu jugun e Spanjës, 23 të zhdukur

by Nexhat

Njëzet e tre persona rezultojnë të zhdukur dhe të paktën katër britanikë dyshohet se janë mes viktimave që humbën jetën duke u përpjekur t’i shpëtonin flakëve në provincën Almería.

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një nga zjarret më vdekjeprurëse në historinë e Spanjës shpërtheu në provincën juglindore të Almerías, ndërsa vendi po përballet me valën e dytë të të nxehtit këtë verë, raporton TheGuardian.

banner

Qeveria rajonale e Andaluzisë tha se viktimat, katër prej të cilave besohet se ishin shtetas britanikë, humbën jetën teksa përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve pranë fshatit Bédar, në komunën Los Gallardos.

“Nuk ka fjalë për një dhimbje të tillë dhe dua t’u shpreh ngushëllimet tona familjeve të viktimave,” tha të premten në mëngjes ministri rajonal për emergjencat, Antonio Sanz. “Kjo është një tragjedi e tmerrshme dhe sot zemrat e banorëve të Andaluzisë janë në zi.”

Sanz tha se shërbimet e emergjencës po luftonin me një “zjarr të tmerrshëm dhe shumë kompleks, i cili po përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme”.

Ai bëri të ditur se tetë persona ishin plagosur, katër prej tyre rëndë, ndërsa autoritetet po përpiqeshin të përcaktonin nëse kishte edhe viktima të tjera nga zjarri, i cili shpërtheu të enjten pasdite.

Sipas Sanz, personat që u gjetën të pajetë kishin tentuar të largoheshin, pavarësisht këshillave të autoriteteve që banorët të qëndronin në vend ose të ndiqnin rrugët zyrtare të evakuimit. Ai shtoi se flakët nuk arritën përfundimisht në fshatin Bédar.

“Fatkeqësisht, vendimi për të kërkuar një rrugë tjetër shpëtimi përmes një përroi u kthye në një kurth fatal,” tha ai. “Katër personat që humbën jetën brenda një automjeti besohet se ishin britanikë, pasi makina ku u gjetën kishte timonin në anën e djathtë. Shtatë persona të tjerë kishin dalë nga automjetet e tyre dhe po përpiqeshin të largoheshin në këmbë përmes një rruge që nuk ishte pjesë e itinerarit të evakuimit. Pasojat ishin tragjike. Duket se shumica prej tyre ishin gjithashtu të huaj, por identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar.”

Guardia Civil u bëri thirrje personave që po kërkonin familjarët e zhdukur të paraqiteshin në stacionin e saj në qytetin e afërt La Garrucha.

“Objektivi ynë kryesor është identifikimi i personave të zhdukur dhe marrja e mostrave të ADN-së për të identifikuar viktimat sa më shpejt të jetë e mundur,” tha një zëdhënës.

Sanz tha se sjellja e mjeteve të rënda për shuarjen e zjarrit po vështirësohej nga mungesa e aksesit dhe terreni “jashtëzakonisht i vështirë”. Ai shtoi se rreth 800 persona ishin evakuuar, ndërsa afro 200 prej tyre ishin strehuar në qendra pritjeje.

Ai u bëri edhe një herë thirrje qytetarëve të respektonin udhëzimet zyrtare.

“Në një situatë emergjente, udhëzimet e autoriteteve nuk janë rekomandime; ato janë krijuar për të mbrojtur jetën. Nëse urdhërohet evakuimi ose qëndrimi në vend, veproni menjëherë dhe ndiqni rrugët e përcaktuara.”

Autoritetet besojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga rrëzimi i një linje të energjisë elektrike.

Presidenti i Andaluzisë, Juan Manuel Moreno Bonilla, shprehu ngushëllimet për të gjithë të prekurit nga zjarri, të cilin e cilësoi si “një nga zjarret më të shpejta dhe më komplekse të viteve të fundit”.

“Çdo gjë është jashtëzakonisht e thatë për shkak të valëve të të nxehtit, duke krijuar karburantin ideal për zjarrin. E kombinuar me erën, kjo është një bombë me sahat,” tha ai.

Deri të premten në mëngjes, rreth 150 zjarrfikës po luftonin me flakët, ndërsa 220 ushtarë nga njësia ushtarake e emergjencave po dislokoheshin për t’u bashkuar në operacion.

Kryetari i bashkisë së Los Gallardos, Francisco Miguel Reyes, tha se banorët ishin të shokuar nga zjarri i paprecedentë.

“Kjo është hera e parë që përballemi me një zjarr kaq shkatërrues,” tha ai për radion Cadena Ser. “Duket sikur në komunën tonë ka shpërthyer një bombë.”

Partia Popullore (PP), e cila qeveris Andaluzinë prej shtatë vitesh, shprehu ngushëllimet për viktimat, por njëkohësisht sugjeroi se qeveria qendrore socialiste nuk kishte bërë mjaftueshëm për të parandaluar zjarret.

Megjithatë, sipas sistemit të decentralizuar të Spanjës, përgjegjësia për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve pyjore, si edhe për hartimin e planeve të emergjencës, u takon qeverive rajonale dhe jo qeverisë qendrore.

“Sipanja ka nevojë për shërbime publike më të mira në çdo fushë, veçanërisht për të parandaluar dhe përballuar tragjedi si ajo që përjetuam sot në Almería,” deklaroi sekretari i përgjithshëm i PP-së, Miguel Tellado. “Vendi ka nevojë urgjente për një qeveri qendrore të përqendruar plotësisht te qeverisja, diçka që ka munguar në politikën spanjolle vitet e fundit.”

Këto akuza shkaktuan reagimin e ashpër të ministrit socialist të Transportit, Óscar Puente.

“A po fajëson seriozisht kjo deklaratë e turpshme qeverinë spanjolle për zjarrin në Almería dhe pasojat e tij?” shkroi Puente në platformën X. “Po kur ata vetë reduktojnë personelin e zjarrfikësve, që është përgjegjësi e tyre?”

Ai shtoi gjithashtu se qeveria rajonale e Andaluzisë nuk kishte dërguar alarm emergjent në telefonat celularë të qytetarëve. Ai kujtoi se qeveria rajonale e Valencias, e drejtuar nga PP, ishte kritikuar ashpër pasi vonoi me orë të tëra dërgimin e një alarmi gjatë përmbytjeve vdekjeprurëse të tetorit 2024.

Temperaturat ekstreme kanë nxitur zjarre shkatërruese në të gjithë Evropën Jugore vitet e fundit, në një seri fatkeqësish që janë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, ndërsa në nivel kontinental janë dobësuar politikat mjedisore.

Në vitin 2017, 66 persona humbën jetën nga zjarret që përfshinë Portugalinë qendrore. Shumë prej tyre vdiqën brenda automjeteve teksa përpiqeshin të largoheshin nga flakët. Në Spanjë, të paktën shtatë persona humbën jetën nga zjarret gjatë vitit 2025, një vit në të cilin një rekord prej 393 mijë hektarësh tokë u dogj.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.

“Po përjetojmë një dhimbje dhe trishtim të thellë për pasojat e tmerrshme të zjarrit që ka goditur provincën e Almerías. U shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave të zjarrit në Los Gallardos, uroj shërim të shpejtë për të plagosurit dhe shpreh solidaritetin tim me të gjithë banorët e prekur.”

Në shtator të vitit të kaluar, Sánchez prezantoi një plan me 10 pika për përgatitjen e vendit ndaj emergjencës klimatike.

“Nëse nuk duam t’u lëmë fëmijëve tanë një Spanjë të nxirë nga zjarret ose një Spanjë të mbuluar nga përmbytjet, atëherë kemi nevojë për një Spanjë më të gjelbër,” tha ai.

Ai shtoi se zjarret e shkaktuara nga vala e të nxehtit verën e kaluar, të cilat dogjën një sipërfaqe gjashtë herë më të madhe se ishulli Ibiza dhe kërkuan “angazhimin më të madh njerëzor dhe teknik” në historinë e Spanjës, treguan se duhen ndërmarrë masa të menjëhershme për të zbutur pasojat e krizës klimatike.

Sipas Sánchez, gjatë pesë viteve të fundit emergjenca klimatike ka shkaktuar më shumë se 20 mijë viktima dhe dëme materiale me vlerë 32 miliardë euro.

Autoritetet shëndetësore në Spanjë dhe Francë kanë bërë të ditur se vala ekstreme e të nxehtit muajin e kaluar ishte përgjegjëse për më shumë se 2 mijë vdekje shtesë në të dy vendet

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy