Shefi i grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Jens Spahn dhe bashkëshorti i tij, Daniel Funke, janë bërë prindër me ndihmën e një nëne zëvendësuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre u shoqërua me urime, por edhe me debat publik sepse amësia zëvendësuese mbetet e ndaluar me ligj në Gjermani.
Çdo marrëveshje e lidhur për këtë qëllim nuk ka fuqi ligjore sepse sipas legjislacionit gjerman, nënë e fëmijës njihet gjithmonë gruaja që e ka lindur atë.
Megjithatë, prindërit që zgjedhin një nënë zëvendësuese jashtë vendit nuk ndëshkohen penalisht, raporton Bild.
Por, sfida lind me procedurat për sjelljen e fëmijës në Gjermani, pasi shteti verifikon prejardhjen biologjike dhe shtetësinë.
Ministria Federale e Drejtësisë ka theksuar se në disa raste, prindërit mund të njihen ligjërisht si të tillë nëse të paktën njëri prej tyre ka lidhje gjenetike me fëmijën.
Vetë Spahn deklaroi: “Burri im u bë baba, dhe bashkë me të edhe unë.”, transmeton Klankosova.tv
Agjencitë në Amerikën e Veriut ofrojnë shërbime për gjetjen e një nëne zëvendësuese dhe menaxhimin e gjithë procesit mjekësor e ligjor.
Një kompani amerikane vlerëson koston totale mes 140.000 dhe 160.000 dollarëve (rreth 122.000–140.000 euro), ndërsa studime shkencore tregojnë se shpenzimet mund të arrijnë deri në 200.000 dollarë.
Në SHBA, amësia zëvendësuese është e ligjshme, por rregullat ndryshojnë nga një shtet në tjetrin. Atje lejohet edhe pagesa për nënat zëvendësuese, teksa brenda Bashkimit Evropian nuk ekziston një rregullore e përbashkët. /Klankosova

