Xavi Hernandez është emëruar trajner i ri i Kombëtares së Holandës, duke marrë drejtimin e “Tulipanëve” pas largimit të Ronald Koemanit.
Federata Holandeze e Futbollit (KNVB) ka njoftuar se ish-trajneri i Barcelonës ka firmosur kontratë katërvjeçare dhe do të jetë në krye të përfaqësueses holandeze për ciklin e ardhshëm.
46-vjeçari, ishte pa klub që nga largimi nga Barcelona në vitin 2024. Gjatë periudhës në stolin e klubit katalanas, ai fitoi Superkupën e Spanjës dhe La Ligën në sezonin 2022/23.
Holanda mbeti pa trajner pas dorëheqjes së Koemanit, e cila erdhi pas eliminimit të hershëm të skuadrës në Kupën e Botës 2026. “Tulipanët” e mbyllën fazën e grupeve në vendin e parë, por u eliminuan në fazën e 1/16-ave nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive.
Para emërimit të Xavit, KNVB kishte shqyrtuar disa alternativa për postin, përfshirë Erik ten Hag, Arne Slot, Peter Bosz dhe Pep Guardiola, ndërsa në listë ishte edhe Louis van Gaal.
Xavi ka shprehur kënaqësinë për mundësinë e drejtimit të Holandës dhe ka theksuar lidhjen e tij me filozofinë e futbollit holandez.
“E konsideroj një nder të jashtëzakonshëm të bëhem trajner i Kombëtares së Holandës. Si dikush që është formuar në akademinë e Barcelonës, nën ndikimin e Johan Cruyffit dhe Rinus Michelsit, ndër të tjerë, ndiej një lidhje të veçantë me futbollin holandez”, ka deklaruar Xavi.
Ish-mesfushori i Barcelonës ka bërë të ditur se dëshiron që Holanda të luajë futboll ofensiv, të bazuar në posedim, kreativitet dhe iniciativë.
“Holanda ka një kulturë të pasur futbolli dhe një vizion të qartë që më tërheq: futboll ofensiv, i bazuar në posedim, me kreativitet, pasion dhe bindje. Sigurisht, qëllimi më i rëndësishëm ka qenë dhe do të jetë gjithmonë fitorja, por unë preferoj që të fitojmë në një mënyrë që pasqyron këto karakteristika dhe që tifozët ta shijojnë”, është shprehur ai.
Xavi e nisi karrierën si trajner te Al Sadd në Katar, klub ku kishte luajtur edhe si futbollist. Në vitin 2021 u rikthye te Barcelona, këtë herë si trajner, duke fituar dy trofe gjatë qëndrimit në klub.
Sipas raportimeve, në stafin e tij te Holanda pritet të jetë edhe ish-sulmuesi holandez Patrick Kluivert, i cili së fundmi kishte drejtuar Kombëtaren e Indonezisë.
Drejtori i KNVB-së, Nigel de Jong, ka vlerësuar përvojën dhe filozofinë e Xavit, duke e konsideruar atë zgjedhjen e duhur për projektin e ri të Kombëtares holandeze.
Debutimi i Xavit në stolin e Holandës do të jetë më 24 shtator, në ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Gjermanisë, që do të zhvillohet në “Johan Cruyff ArenA”

