Arsenali ka marrë një lajm të mirë për William Saliban, pasi mbrojtësi francez mund të rikthehet në fushë më herët nga sa ishte parashikuar fillimisht pas operacionit në shpinë.
Saliba është jashtë fushave që prej dëmtimit të pësuar gjatë angazhimit me Francën në Kupën e Botës. Fillimisht ekzistonte frika se ai mund të mungonte për katër deri në pesë muaj, por operacioni i suksesshëm ka ndryshuar situatën.
Sipas gazetarit të “BBC Sport”, Sami Mokbel, Arsenali ka arritur të shmangë një mungesë kaq të gjatë dhe Saliba pritet të jetë jashtë për të paktën dy deri në tre muaj.
Mungesa e francezit është një goditje për trajnerin Mikel Arteta, i cili do të duhet të mbështetet te Cristhian Mosquera, Gabriel dhe Piero Hincapié në qendër të mbrojtjes.
Ndërkohë, Arsenali po përgatitet për përballjen me Manchester Cityn në Community Shield, ku Saliba nuk do të jetë i gatshëm.
Në të njëjtën kohë, klubi londinez pritet të marrë një tjetër përforcim të rëndësishëm në mbrojtje. Jurrien Timber pritet të rikthehet në stërvitje gjatë javëve të ardhshme, pasi humbi Kupën e Botës.
Timber do të mungojë në disa ndeshje, përfshirë përballjen hapëse ndaj Coventryt, por raportohet se mund të jetë në dispozicion gjatë muajve shtator ose tetor.
Arsenali ndërkohë po monitoron edhe tregun për alternativa në mbrojtje, me Jarell Quansah të Bayer Leverkusenit dhe Ezri Konsan e Aston Villës që janë përmendur si kandidatë të mundshëm për të zëvendësuar Saliban gjatë periudhës së mungesës së tij

