Muhamet Hyseni e lë Danimarkën, bëhet me ekip të ri

by Nexhat

Sulmuesi kosovar, Muhamet Hyseni, e ka bërë sot hapin e radhës në karrierën e tij, duke u transferuar zyrtarisht te skuadra rumune Farul Constanța.

Klubi rumun ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me klubin danez AC Horsens për transferimin e 25-vjeçarit.

banner

Hyseni e ka kryer tashmë kontrollin mjekësor dhe i është bashkuar skuadrës së drejtuar nga Ioan Ovidiu Sabău.

Hyseni, i lindur më 6 shkurt 2001 në Podujevë, rikthehet kështu në një kampionat jashtë Kosovës, pasi sezonin e kaluar e kaloi te Llapi, si futbollist i huazuar nga Horsens.

Në sezonin 2023/24, sulmuesi kosovar shkëlqeu me fanellën e Llapit, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës me 26 gola dhe 7 asistime në 36 ndeshje.

Në total, në 108 paraqitje në elitën e futbollit kosovar, Hyseni i ka realizuar 41 gola dhe i ka dhënë 13 asistime.

Gjatë karrierës së tij, Hyseni ka luajtur edhe për Malishevën dhe Feronikelin 74, përpara se në vitin 2024 të transferohej te AC Horsens në Danimarkë.

Ai është gjithashtu reprezentues i Kosovës. Hyseni i ka dy paraqitje me fanellën e Kombëtares dhe e ka shënuar një gol, pikërisht ndaj Zvicrës në eliminatoret për EURO 2024.

Pas transferimit, Hyseni ka folur edhe për objektivat e tij me skuadrën e re, duke e bërë të qartë se synon të shënojë sa më shumë gola dhe të luftojë edhe për titullin e golashënuesit, ashtu siç bëri në Kosovë.

“Dua të shënoj sa më shumë gola për Farulin”, është mesazhi i sulmuesit kosovar në intervistën e tij të parë pas transferimit.

Me këtë transferim, Hyseni e nis një kapitull të ri në karrierën e tij, me synimin për të lënë gjurmë edhe në kampionatin rumun. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy