Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naim Hajra ka deklaruar se lideri i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku ka pasur aprovimin e organeve partiake për të negociuar lidhur me kandidatin për president të vendit.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, Hajra ka thënë se pavarësisht këtij aprovimi, paraprakisht do të duhej të kishte konsultime të brendshme, në mënyrë që të evitoheshin kundërshtimet në publik, lidhur me emrin e Bekim Sjediut dhe marrëveshjen e dakorduar me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka thënë se fillimisht këto dy parti negociuan për një marrëveshjeje të bashkëqeverisjes, por që sipas tij, VV-ja e zhvlerësoi LDK-në me ofrimin e tri ministrive
Pavarësisht kësaj, Hajra ka thënë se LDK-ja si parti institucionaliste u ofrua për të ndihmuar në gjetjen e një kandidati konsensual për president, për të evituar krizën politike në të cilën është future vendi.
“Pastaj, LDK-ja edhe përkundër kësaj, edhe përkundër këtij zhvlerësimi, nga ai instinkti kështu institucionalist që e ka si parti, për mos me e lënë vendin pa institucione, sikur u vetofrua që me ia dhënë edhe një mundësi zgjedhjes së presidentit në mënyrë që pastaj me pas qeveri stabile, po me sa shihet kandidati nuk e gëzon përkrahjen e të gjithë deputetëve të LDK-së. Mendoj që ka ndodhur një farë le të themi një farë kapërcimi në hapa, do duhej mbase me ndodhë ndryshe.”, ka thënë ai.
Hajra ka thënë se brenda partisë do të duhej të konsumohej debati lidhur me emrin e kandidatit për president.
Por, ai ka thënë se demokracia e brendshme dhe mënyra se si paraqitet në publik, po i kushton LDK-së.
“Mënyra se si po e paraqesin në publik këtë demokracinë e brendshme, përveç të tjerash po i bën shumë dëm edhe vetë LDK-së, po duke e dëmtuar LDK-në pastaj po dëmtohen edhe proceset shtetare në Kosovë, sepse duke mos qenë unike LDK-ja, duke mos qenë e forte, pastaj po kemi edhe këto probleme për me i konsoliduar institucionet tona.”, ka thënë ai.

