Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka ngritur një sërë shqetësimesh nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vendi po përballet me probleme të shumta që kërkojnë zgjidhje konkrete dhe jo, siç u shpreh ajo, “fjalë dhe bojkotime të institucioneve”.
Bytyqi tha se detyra e deputetëve është të trajtojnë problemet me të cilat përballen qytetarët dhe të punojnë për zgjidhjen e tyre.
“Detyra jonë në Kuvend është të trajtojmë problemet e qytetarëve dhe të bëjmë zgjidhjen e tyre, sepse qytetari i Kosovës sot kërkon siguri, mirëqenie, vende pune dhe një perspektivë më të mirë për familjen e tij”, tha ajo.
Duke folur për situatën e sigurisë, Bytyqi u ndal edhe te deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Ujmanin.
Ajo kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se ka “marrë peng institucionet e shtetit” dhe se nuk i ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme kërcënimeve që lidhen me Ujmanin.
“Ujmani është aset strategjik i Kosovës dhe çdo deklaratë që prek sovranitetin, integritetin territorial dhe pasuritë tona duhet të merret seriozisht”, deklaroi Bytyqi.
Deputetja ngriti shqetësime edhe për varësinë ekonomike në fusha strategjike, duke kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për qasjen ndaj kësaj çështjeje.
“Si mund të rrinë të qetë deputetët e VV-së e si mund të na flasin për normalizim politik, ndërsa vazhdojnë të krijojnë varësi ekonomike në fusha strategjike”, tha ajo.
Një tjetër çështje për të cilën Bytyqi shprehu shqetësim, siç tha ajo, ishte furnizimi me barna dhe produkte esenciale nga Serbia.
“Tjetër shqetësim këta muaj që nuk kemi as Qeveri as Kuvend, janë barnat dhe ilaçet e marra nga Serbia. Furnizimi me produkte esenciale duhet të jetë i sigurt dhe i kontrolluar. Kosova nuk duhet të krijojë varësi strategjike nga Serbia për produkte që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve”, u shpreh ajo.
Bytyqi tha se Kosova po përballet edhe me krizë energjetike dhe me ikjen e të rinjve nga vendi, duke kërkuar që institucionet të fokusohen në zgjidhje konkrete për qytetarët.

