Pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës vazhdojnë të artikulohen hapur nga maja e shtetit serb. Ka qenë vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili nga Uzhica doli para përkrahësve të tij me pretendimin se Kosova është territor i Serbisë, duke sfiduar hapur sovranitetin dhe realitetin e krijuar në Kosovë. Me tone të larta dhe gjuhë nacionaliste dhe hegjemoniste, Vuçiq deklaroi: “Kosova ka qenë, është dhe do të jetë Serbi”.
Kjo nuk është vetëm një deklaratë e izoluar, por pjesë e një retorike të vazhdueshme të Beogradit, përmes së cilës Serbia vazhdon të pretendojë territorin e një shteti të pavarur dhe sovran. Nga Uzhica, Vuçiq e vendosi Kosovën në qendër të agjendës së tij politike, duke ushqyer narrativën nacionaliste dhe duke përsëritur pretendimet territoriale të Beogradit.
Madje, gjatë një interviste për Euro News Serbia, Vuçiq u përball me një pyetje të drejtpërdrejtë: pse Serbia nuk e respekton dhe nuk e pranon vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid.
Përballë kësaj pyetjeje, presidenti serb shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë, duke tentuar ta relativizojë çështjen dhe ta zhvendosë debatin në tema të tjera.
Njohës të sigurisë dhe çështjeve të gjeopolitikës vlerësojnë se këto narrativa amplifikohen edhe përmes propagandës ruse, duke rikthyer në diskurs publik pretendime ndaj komunitetit serb në Kosovë.
“Ky debati për urën e Ibrit është përdorur për krijim e narrativave të caktuara, këto janë amplifikuar edhe në mediat dhe zyrtarët rus, psh Zaharova ka bërë deklarata për situatën e fundit në Kosovë, pastaj Medvedev, e të cilat i kanë amplifikuar këto narrativa dhe i kanë rikthyer ato elemente kryesore të këtyre narrativave që janë spastrimi etnik, ideja e katastrofës humanitare, terrori sistematik ndaj komunitetit serbë në Kosovë, të cilat këto përdorën në situata dhe zhvillime të caktuara politike e gjeopolitike”, tha Festim Rizanaj nga Hibrid.info.
Kjo retorikë agresive e Serbisë nuk kufizohet vetëm në deklarata, por shoqërohet edhe me mobilizim, reagime dhe përgatitje konkrete për skenarë të rinj gjeopolitikë.
“Duhet ta kuptojmë drejt, Serbia është po e njëjta. Sot presidenti Vuçiç që është tani, ai ka qenë ministër i Millosheviqit në atë kohë. Prandaj është e njëjta Serbi, do të thotë, nuk ka ndryshuar fare nga ajo që ka qenë në vitin ’98 – ’99”, tha Gazmend Syla nga OVL UÇK.
Sipas ekspertëve, këto narrativa të Serbisë synojnë të ndikojnë në perceptimin e realitetit në terren dhe të krijojnë hapësira për tensione të reja politike e gjeopolitike në rajon/RTK

