Dhjetë ditëshi i fundit.
Vendimi i madh për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po afron.
Kosova pret që 16 shtatori të dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së për liri dhe pavarësi!
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin prej tyre. Në total 180 vjet.
Para datës kur do të bjerë çekani i verdiktit, Klan Kosova i rikthen në vëmendje dëshmitë e ndërkombëtarëve që shkundën Hagën.
Wesley Clark
Dëshmia vendimtare, që konsiderohet se mund të lëkund fatet, ishte ajo e gjeneralit amerikan, Wesley Clark, që u mbyll me një fjalim të fuqishëm.
Për dy ditë që u caktuan për të, gjenerali me katër yje, tregoi të vërtetën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në deklarimet e tij pro Hashim Thaçit, ish-ushtaraku amerikan ishte i qartë.
“Thaçi nuk mbante përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë!”.
As UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik, tha Clark në Hagë.
Në fund të dëshmisë së tij, ai i kërkoi trupit gjykues që ta lejonte të jepte një vlerësim të tij për rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Me bindje të plotë, gjenerali që e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, tha se UÇK nuk ishte terroriste pasi pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.
Më poshtë e gjeni fjalimin e plotë të tij (18 nëntor, 2025):
Gjyqtari: Jeni i lirë të shkoni. Faleminderit që erdhët, që ndatë informacionet që kishit me ne. Mund të largoheni.
Clark: Faleminderit, por nuk pata një shans, më premtuat që mund të thoja diçka.
Gjykatësi qesh: Keni thënë plot.
Clark: Më jepni dy minuta ju lutem.
Gjykatësi: Nëse thoni diçka, nuk mund të ju bëhen pyetje.
Clark: Nuk do të them asgjë që ka nevojë të pyetet më pas.
Clark: E përmenda revolucionin amerikan disa herë. Jemi në një epokë ku ka forca të mëdha që përpiqen të ndikojnë në qeveritë e ndryshme. Prej luftës së dytë botërore, jemi përpjekur të kemi një sistem ndërkombëtar në rregulla, që ka funksionuar deri në një masë, por jo tërësisht.
Pasi u shpërbë Jugosllavia dhe personat në Jugosllavi kërkuan të njëjtat liri sikurse Perëndimi.
E kemi edhe një situatë në Ukrainë.
S’po përpiqem të jem i pasjellshëm, sepse proceset penale janë të rëndësishme, por duhet të ketë një kufi sa i takon rendit.
Pra ka rend, por personat duhet të respektohen dhe luftojnë për të drejtat e tyre.
Dhe kështu u përpoq të bënte UÇK në fillimin e viteve ’99, kur thjesht nuk pranuan shtypjen prej serbëve, dhe e bënë të pamundurën për t’i rezistuar serbëve.
Pra, ata nuk janë terroristë! Edhe pse gjeneralët serbë thonin janë terroristë. Ata nuk ishin terroristë, por luftonin kundër një regjimi të padrejtë!
Mendoj se kjo është shumë e vështirë për jurisprudencat e gjykatave. Këtu kemi persona që luftuan për lirinë e tyre.
Faleminderit që më dhatë mundësinë të shpjegohem.
E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë që ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet individuale të dhunës dhe hakmarrjes.
James Rubin
Rëndësi po kaq të madhe ka edhe dëshmia e atij që doli i pari si dëshmitar i thirrur nga mbrojtja, para Gjykatës Speciale në Hagë.
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, për tri ditë rresht dha dëshmi të fuqishme në mbrojtje të ish-presidentit kosovar, për rolin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, procesin e Rambujesë dhe marrëdhëniet me komandantët kryesorë të luftës.
Rubin rrëzoi pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për ndërmarrje të përbashkët kriminale, ndërsa Thaçin e paraqiti si një përfaqësues politik në UÇK, pa kompetenca për të marrë vendime dhe pa autoritet mbi komandantët e zonave.
Ish-diplomati e përshkroi Thaçin si “fytyrën politike” të UÇK-së. As kontroll e as komandë efektive nuk kishte në ushtri, thoshte Rubin.
ShBA, sipas tij, e konsideronte Hashim Thaçin, udhëheqës të caktuar nga vetë shqiptarët.
Para trupit gjykues, Rubin ka pasur edhe kritika për këtë gjykatë, duke e quajtur të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të katërshes, të cilët, sipas tij, u dorëzuar vullnetarisht.
Paul Williams
Dëshmia e dytë amerikane pro Thaçit në Hagë ishte ajo e këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999.
Paul Williams dëshmoi dy ditë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për rolin e Thaçit, të UÇK-së dhe procesin në tërësi.
Njësoj sikur Rubin, edhe ai deklaroi se ish-kreu i UÇK-së s’kishte kompetenca dhe nuk mund të jepte pëlqimin për marrëveshje pa miratimin e komandantëve të zonave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Juristi konfirmoi se Thaçi “kontrollohej fort nga jashtë” dhe se i njëjti u raportonte komandantëve gjatë kohës sa ai ishte në Rambuje.
Për Thaçin dhe të gjithë delegacionin e Kosovës në Rambuje, Williams u shpreh qartë se pavarësia ishte e domosdoshme.
John Duncan
Në fund të shtatorit 2025, para Gjykatës Speciale ka dëshmuar edhe një ish-diplomat.
Dëshmitari i tretë, britaniku John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, e tha atë që u dëgjua disa herë edhe nga dëshmitarët paraprakë: Thaçi nuk kishte autoritet të plotë ushtarak mbi UÇK-në dhe roli i tij ishte kryesisht politik.
Duncan, që në fund të viteve ’90, ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, tha se UÇK nuk kishte një hierarki nga lartë-poshtë dhe se fuqinë reale e kishin komandantët e zonave.
Christopher Hill
Në gjykatore, në mesin e dëshmitarëve ishte edhe Christopher Hill. Diplomati i pensionuar amerikan, ishte në të njëjtën linjë, se Thaçi nuk ishte figurë që merrte vendime dhe se UÇK-ja s’kishte hierarki të mirëfilltë.
Nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, sipas tij, hodhi poshtë pretendimin e Millosheviqit se shqiptarët nuk mund të bëheshin bashkë e të pajtoheshin për ndonjë gjë.
Hill në dëshminë e tij deklaroi se Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK, duke theksuar se nuk kishte informacione se ai kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme.
Edhe Michael Durkee e James Covey ishin në mesin e shtatë dëshmitarëve të Mbrojtjes
Durkee, këshilltari i Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, po në nëntor 2025, kishte thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritetet dhe kompetencën për ta ndaluar dhunën në vitin 1999 dhe se ai kishte vetëm rol politik. 
Para trupit gjykues, ai pati deklaruar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të konsoliduar të komandës dhe se komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme.
Nga ulësja e njëjtë ka dëshmuar edhe Covey.
Ish-zëvendësuesi i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, ka deklaruar në Hagë se Hashim Thaçi është njohur vetëm si drejtues politik. Në deklaratën e tij, ai thoshte UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë si komandant të Përgjithshëm të UÇK-së.
Këta dëshmitarë ndërkombëtarë kishte tentuar t’i diskretitojë vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar, në periudhën e fjalëve përfundimtare, në shkurt të këtij viti.
Por, Prokuroria u gjunjëzua nga mbrojtja e Hashim Thaçit, konkretisht nga avokati Pierre Prosper!
Direkt nga Haga: Prosper gjunjëzon Prokurorinë që tentoi t’i diskreditojë dëshmitarët ndërkombëtarë!Lajme
Tashmë gjithçka është përmbyllur.
Para datës së madhe, rrugët e Kosovës do të pushtohen në Marshin për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, në ora 14:00.

