Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini kanë zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Sindikatave të punëtorëve të Minatorëve të Trepçës, të Zjarrfikësve, të Administratës, të Shërbimit Korrektues, të Shëndetësisë dhe të tjera.
Sipas njoftimit të platformës “Liria ka emër”, sindikalistët bashkërisht shprehën përkrahjen e tyre për “Marshin për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Në këtë takim, përfaqësuesit e LKE i falënderuan sindikatat e punëtorëve për mbështetjen e ofruar, duke theksuar se Kosova po pret drejtësi, liri dhe kthimin në atdhe të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, pjesëmarrja dhe mbështetja e sindikatave të punëtorëve i jep këtij marshi legjitimitet moral dhe shoqëror.
Marshi do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

