Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti para dy ditësh e ka pranuar informacionin lidhur me aktgjykimin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Miftaraj ka thënë se ka informata të sigurta se Kurti tashmë e di aktgjykimin e Speciales për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
“Unë e di saktë, që Albin Kurti e ka marrë informacionin lidhur me vendimin në Hagë. Jo vetëm Albin Kurti, por e dinë edhe shtetet e rajonit. Është protokoll. Është obligim i gjykatës, që me e ditë krerët e shtetit që me u parapërgatit, çfarëdo që të jetë vendimi.”, ka thënë ai
Miftaraj ka kritikuar Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje që nuk kanë themeluar institucionet e reja, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.
“Institucionet e Republikës së Kosovës është dashur me marrë këtë informatë, siç e kanë marrë në Serbi, Shqipëri dhe në Maqedoni. Për kryeministrin Kurti dhe për qeverinë e tij, është dashur që Kuvendi me qenë i konstituuar dhe qeveria me qenë e zgjedhur, por edhe presidenti. Vonesat që i ka bërë nuk ia ka pas borxh as UÇK-së, e as katër personave që janë në Hagë.”, ka thënë ai.
Sa i përket aktgjykimit, Miftaraj ka thënë se pritet të ketë lajme të mira.

