Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka kërkuar votat e asamblistëve të Kuvendit Komunal për miratimin e dhënies në shfrytëzim në zonës së njohur si “Tulltorja” në Prishtinë.
Rama tha të premten në një seancë të Kuvendit Komunal se projekti mbështetet nga Ambasada amerikane.
Sipas tij, komuna do të përfitojë nga një milion euro në vit pas përfundimit të projektit.
“Sot në të njëjtin lokacion [Tulltores] po flasim për projektin e prezantuar në konferencën e investitorëve amerikanë, të mbështetur nga Ambasada amerikane. Po flasim për një qendër për zhvillimin e artit, kulturës dhe teknologjisë në Tulltore”, tha Rama.
Prona komunale do të jepet në shfrytëzim për 50 vjet.

“Kjo tokë nuk falet. Toka mbetet pronë e kryeqytetit; jepet në shfrytëzim për t’u zhvilluar dhe për këtë shfrytëzim, kryeqyteti përfiton një milion euro në vit. 50 vjet, mbi 50 milionë”, tha Rama.
Pas shfrytëzimit, ai tha se toka do t’i rikthehet kryeqytetit.
Rama tha se projekti është i rëndësishëm po ashtu edhe për lidhjen infrastrukturore të disa lagjeve me qendrën e qytetit.
“Këtu sot nuk vendosim vetëm për një parcelë, por vendosim a do ta lëmë një pronë publike të pazhvilluar, të pasigurt, vend i problemeve që pastaj varet prej 100 eurove që i çkepni ju apo e kthejmë në zhvillim, të hyra, vende pune dhe aset për kryeqytetin tash dhe për gjeneratat e ardhshme”, tha ai.
Komuna e Prishtinës, disa javë më parë miratoi lejen ndërtimore për një nga projektet më të mëdha publike të planifikuara në zonën e “Tulltores”.
Dokumentet tregojnë se në këtë hapësirë synohet ndërtimi dhe rindërtimi i një kompleksi të gjerë administrativ, afarist, hotelier, kulturor dhe teknologjik.

