Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar për vendimin që pritet të shpallet nesër në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Berisha ka thënë se, sipas tij, gjatë procesit gjashtëvjeçar nuk është paraqitur asnjë provë që mbështet akuzat ndaj tyre.
“Nesër është një ditë e veçantë!. Nesër në Hagë, gjykata, pas një procesi të zgjatur gjashtëvjeçar, shpall vendimin e marrë kohë më parë për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës. Të gjithë ata që me interes të veçantë kanë ndjekur këtë proces, nuk kanë dëgjuar apo lexuar një provë të vetme që mbështet akuzat për të cilat ata u arrestuan. Ndaj, për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim: pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre. Dhe urojmë që ata të kthehen të pafajshëm siç janë, kryelartë, heroj të çlirimit të Kosovës. Por kërcënimet që i bëhen Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast të një vendimi ndryshe nga Gjykata e Hagës, janë absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme. Kosova nuk mund të paguajë asgjë për një vendim gjyqësor të padrejtë”, ka shkruar Berisha në facebook”

