Ish-gjyqtarja Valdete Daka, ka folur lidhur me vendimin që pritet të shpallet nesër nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Daka ka theksuar se trupi gjykues duhet ta bazojë vendimin vetëm në provat që janë administruar gjatë procesit gjyqësor.
“Këta gjyqtarë, të gjithë aktgjykimin apo të gjithë vendimin të cilin e marrin në emër të popullit të Kosovës, duhet ta bazojnë në provat të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor. Pra, aktgjykimi nuk guxon të bazohet në asgjë tjetër përveç në provat të cilat janë administruar”, ka thënë Daka
Ajo ka nënvizuar se gjyqtarët duhet t’i shqyrtojnë dhe analizojnë të gjitha provat e paraqitura gjatë procesit.
“Ata duhet t’i shqyrtojnë të gjitha provat, jo vetëm ato që janë “fajësuese”, por edhe ato shfajësuese. Pra, duhet t’i vlerësojnë dhe t’i analizojnë të gjitha ato çka kanë dëgjuar tash sa vite, duke filluar nga provat materiale, provat personale, dëshmitë, ekspertizat, të gjitha ato që gjatë shqyrtimit janë marrë dhe janë dëgjuar”, është shprehur ajo

