Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka ngushëlluar për vdekjen e Flora Brovinës, duke thënë se sot Kosova humbi gruan që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të vet.
Haxhiu tha se ajo si mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, u gjend pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën.
“Organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës. Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq. Në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta. Për lirimin e Flora Brovinës u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës”.
Haxhiu shtoi se Flora Brovina ishte zë i veçantë edhe në letërsinë shqipe, ndërsa përmendi edhe angazhimin e saj politik si deputete e PDK’së në Kuvendin e Kosovës.
“Në vargjet që shkroi, gruaja, fëmija, dhimbja, lindja, humbja dhe liria morën formën e përvojave të jetuara. Poezia e saj kishte butësinë e mjekes, ndjeshmërinë e gruas dhe qëndresën e njeriut që kishte kaluar nëpër sfida të rënda. Pas luftës vazhdoi angazhimin në jetën institucionale të vendit. Për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Brovina dhe Begu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan. I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”.
Brovina vdiq sot, sipas një njoftimi të familjes.

