Shtuni: Vendimi i sotëm në Hagë s’do e mbyllë çështjen, themelimi i Speciales nga ana e Kosovës standard i pashoq ligjor e moral

by Nexhat

Kosova nuk po gjen ‘qetësi politike’ tash e dy vite. Shteti më i ri i rajonit po përballet me një krizë të gjatë e të thellë politike, e sot, gjendet përballë një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e saj, përderisa pret vendimin e Speciales ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë. Diskutimet e çështjes së parë kanë bërë që shumë njerëz të vlerësojnë se Kosova po humbet përkrahjen e aleatëve perëndimorë dhe se rrezikon të shndërrohet në vend ‘’të dështuar’’, ndërsa ato të çështjes së dytë që lidhen me Hagën, kanë bërë të krijohet panikë për atë se çfarë e pret vendin pas verdiktit të sotëm, cilido qoftë ai.

Lidhur me këto çështje, Gazeta Express, ka marrë disa komente nga Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri që vepron në Uashington.

banner

Ky i fundit, i pyetur fillimisht për atë se çfarë pritet të pasojë pas zhvillimeve të ditës së sotme në Hagë, vlerësoi se, vendimi i shkallës së parë s’do ta mbyllë çështjen, madje, shtoi ai, vendimi ‘’ka shumë gjasa të thellojë polarizimin shoqëror sesa të prodhojë një perspektivë të përbashkët apo pajtim ndër etnik ’’. I njëjti, dha komentet e tij edhe për atë se si mund të jetë ‘pasqyra’ e Kosovës pas vendimit të sotëm, duke i dhënë merita kësaj të fundit për formimin e Speciales, e duke e cilësuar si një ‘’standard të pashoq ligjor e moral’’ në Ballkanin Perëndimor.

Shtuni po ashtu foli edhe për ngërçin politik, duke thënë se, zgjedhjet e shpeshta parlamentare janë ‘’tregues se politikisht Kosova ka mbetur pa busull’’, duke theksuar edhe se, ‘’herët a vonë lidershipi politik në Kosovë do të duhet ta kuptojë se kostoja e vazhdimit të ngërçit e tejkalon koston e kompromisit’’.

Intervista:

Në 16 shtator, në Hagë do merret vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK’së. Cili mendoni se do të jetë impakti i këtij aktgjykimi pavarësisht se çfarë do të jetë?

Shtuni: Ndikimi do të jetë i rëndësishëm por vendimi i shkallës së parë i 16 shtatorit, çfarëdo që të jetë, nuk do ta mbyllë çështjen. Nuk kam asnjë dyshim se aktgjykimi do të ankimohet. Ajo që do të bëjë vendimi është se do të nxjerrë në pah akoma më qartë se edhe pas pothuaj tre dekadash, rrëfimet e asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–1999 mbeten të papajtueshme për palët. Në fakt, ka më shumë gjasa që vendimi të thellojë polarizimin shoqëror sesa të prodhojë një perspektivë të përbashkët apo pajtim ndër etnik.

Kosova në të kaluarën është përballë me procese në Hagë (ICTY), por gjykimi aktual, duke i pasur parasysh pretendimet e ngritura, ka peshë tjetër. Tek Institucionet, Qeveria, ka një indiferencë, por vendimi cilido do të jetë, do të jetë një pasqyrë e re e Kosovës në aspektin ndërkombëtar. A pajtoheni me këtë?

Shtuni: Pajtohem pjesërisht. Sigurisht që ky gjykim ka peshë tjetër krahasimisht me gjykimet e mëherëshme në ICTY. E para, këtu në gjykim është lidershipi politik i UÇK-së, e jo komandantë me peshë dytësore; e dyta gjykata është teknikisht një institucion i Kosovës, i ngritur pas ndryshimit të Kushtetutës dhe jo një gjykatë ndërkombëtare; e treta, aktakuza pretendon se lidershipi i UÇK-së ishin organizatë e përbashkët kriminale që goditi kundërshtarët gjatë dhe pas luftës. Këto janë akuza mjaft të rënda që varësisht prej aktgjykimit do të mund të ndikojnë më gjërë imazhin e Kosovës përtej individëve të akuzuar.

Gjithesesi, pa e paragjykuar vendimin, fakti se Kosova si shtet i dalë nga një luftë e drejtë çlirimtare pranoi të ngrinte një institucion për gjykimin e heronjve të saj, pavarësisht se si shoqëri e refuzon premisën e asaj gjykate, tregon se çfarë shteti i së drejtës është. Një standard i pashoq ligjor e moral në Ballkanin perëndimor. Çfarëdo të jetë vendimi, kjo arritje e Kosovës nuk mund të zbehet.

Si i shihni prognozat e Beogradit për verdiktin e Hagës, pra deklaratat e Vuçiq. Cila është prapavija e tyre?

Shtuni: Prognozat janë parapërgatitje propagandistike; asgjë më shumë. Nëse vendimi është lirues Vuçiq do të trumpetojë ato që ka thënë pas gjykimit të Gotovinës dhe Oric, se Haga sipas tij i trajton viktimat Serbe si të parëndësishme. Në të kundërtën prapë do të ankohet duke pretenduar se një gjykim dënues provon ato që ai ka thënë kohë më parë. Pra çfarëdo vendimi do të shfrytëzohet për narrativat viktimizuese që ai i përdor tradicionalisht.

Në disa skenarë të errët përmenden përplasjet eventuale që mund të shkaktojë aktgjykimi brenda Kosovës. A mund të mbahet situata nën kontroll?

Shtuni: Përplasjet nuk mund të përjashtohen. Kjo do të jetë ditë me emocione të forta për të gjithë. Por duhet vetëpërmbjajte në çfarëdo skenari. Ky vendim siç e thashë nuk është përfundimi i asgjëje. Qoftë festimet apo protestat duhet të mos jenë të dhunëshme pasi çfarëdo lloj eksesi dëmton interesat e Kosovës. Gjithësesi, organet ligjzbatuese të Kosovës, EULEX, dhe KFOR janë në gatishmëri të plotë dhe jam i bindur se janë tërësisht të afta ta mbajnë situatën nën kontroll.  

Rreth bllokadës politike në Kosovë, siç dihet tashmë partitë po kanë telashe për të gjetur kompromis lidhur me formimin e institucioneve. Si I shihni veprimet dhe qasjet e tyre?

Shtuni: Të mbash katër zgjedhje parlamentare në më pak se dy vjet është tregues se politikisht Kosova ka mbetur pa busull. Pa orientim strategjik dhe pa një synim të përbashkët madhor që tejkalon ambiciet e ngushta vetjake apo partiake. Ajnshtajni thoshte se përkufizimi i marrëzisë është të bësh të njëjtën gjë vazhdimisht dhe të presësh rezultat tjetër. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh, një vetëndërshkim i pamerituar për Kosovën që duhet të kthillet e mos humb më kohë, sidomos në një periudhë kaqë sfiduese në arenën ndërkombëtare.

Kam përshtypjen se në këtë pikë bllokimi tërësor, do të ishte mirë që në vend se të shkohet përsëri në votime që nuk do mund të sjellin një rezultat të ndryshëm, të dilet jashtë formulave politike për gjetjen e zgjidhjes. Duhet një reset. Për këtë do të ndihmonte ndërmjetësimi nga jashtë politikës, ndoshta nga diaspora por edhe me lehtësim ndërkombëtar, për gjetjen e një presidenti jopartiak si dhe për një qeveri teknike me mandat të kufizuar që do të përqëndorohej tek adresimi i nevojave imadiate. Proceset e sterzgjatura zgjedhore i kanë lodhur votuesit dhe kanë vonuar reformat e humbur fodet e BE-së.

Një negociatë jashtëpolitike që çon në zgjedhjen e një presidenti dhe në krijimin e institucioneve funksionale për një periudhë të caktuar, do të ishte më pak e kushtueshme dhe më e qëndrueshme sesa zgjedhjet e katërta parlamentare. Herët a vonë lidershipi politik në Kosovë do të duhet ta kuptojë se kostoja e vazhdimit të ngërçit e tejkalon koston e kompromisit.

A mendoni se kjo situatë po bën që aleatët të zbehin përkrahjen ndaj vendit?

Shtuni: Ajo që unë shoh është zbehje besimi jo përkrahje. Kjo bën që angazhimi i tyre të jetë më i kushtëzuar, pasi megjithëse vazhdojnë ta trajtojnë Kosovën si partnere, vazhdojnë të investojnë politikisht dhe ekonomikisht në të, janë më pak të gatshëm ta konsiderojnë klasën aktuale politike të saj si të besueshme, pasi po dështojnë të mbajnë zotimet. Pa riftuar besimin e aleatëve nuk ka as anëtarësim në NATO as BE. Gjendja aktuale i shkon për shtat vetëm atyre që dëshirojnë dështimin e Kosovës. Ndaj dhe them se gjetja e një formule të negociuar për formimin e institucioneve dhe funksionalizimin e shtetit do të ishte rruga e duhur për të rikthyer besimin e aleatëve dhe vendin në shinat e normalitetit dhe integrimit euro-atlantik.

Ka vlerësime së fundi, thuhet se Kosova po rrezikon që të cilësohet ‘’si vend i dështuar’’. Çfarë komentesh keni rreth kësaj?

Shtuni: Terma të tilla janë të pasakta dhe të ekzagjeruara. Kosova nuk është vend i dështuar. Nuk është as Somali as Haiti. Është një vend demokratik në konsolidim e sipër që po përballet me një krizë të zgjatur institucionale, që dëmton reformat, fondet e BE-së dhe besimin e aleatëve. Pra një vend me një brishtësi serioze, por jo në prag kolapsi. Shumë sakrifica janë bërë për këtë Kosovë nga njerëz që kanë dhënë gjithçka. E ardhmja e saj s’mund të mbahet peng për çikërima dhe inate politike nga ata që nuk duan të lëshojnë asgjë.

Read mo

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy