Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve I.A., F.T. dhe M.A., nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri I.A. dyshohet se, gjatë periudhës nga janari i vitit 2025 deri më 6 nëntor 2025, në fshatin Isniq, Komuna e Deçanit, ka shpërndarë dhe shitur narkotikë të llojit marihuanë, pa autorizim. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, janë gjetur dhe sekuestruar 131.47 gramë marihuanë.
Po ashtu, i njëjti i pandehur dyshohet se ka poseduar në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion, me ç’rast gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, municion dhe dy granata dore.
Ndërkaq, i pandehuri F.T. dyshohet se, gjatë periudhës nga qershori i vitit 2025 deri më 6 nëntor 2025, në fshatin Drenoc, Komuna e Deçanit, ka shpërndarë dhe shitur narkotikë të llojit marihuanë, pa autorizim. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar 2.93 gramë marihuanë, si dhe mjete të tjera të cilat, sipas aktakuzës, dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe paketimin e narkotikëve.
Ndërsa, i pandehuri M.A. dyshohet se më 6 nëntor 2025, në fshatin Drenoc, Komuna e Deçanit, ka poseduar pa autorizim narkotikë të llojit marihuanë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar 0.46 gramë marihuanë, e cila, sipas aktakuzës, dyshohet se ishte për përdorim personal.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat ngarkohen.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat ngarkohen.

